Protestë e blegtorëve prodhues të qumështit, kërkojnë më shumë mbështetje

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Përfaqësues të Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit zhvilluan sot protestë përpara Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj Skemës Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026.
Blegtorët deklaruan se masat e parashikuara nuk i përgjigjen nevojave reale të sektorit dhe nuk përputhen me diskutimet e zhvilluara më herët me institucionet. Ata theksuan se rritja e kostove, veçanërisht për karburantin dhe ushqimin e bagëtive, po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit.
“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, ishte thirrja e tyre.
Në reagimet e tyre, fermerët kërkuan rritje të nivelit të subvencioneve, duke nënvizuar diferencën e madhe me vendet e rajonit, si dhe lehtësim fiskal për naftën e përdorur në bujqësi.
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte konkurrenca nga importet, për të cilat kërkuan masa mbrojtëse dhe rregullim më të mirë të tregut të produkteve të bulmetit.
Protestuesit apeluan gjithashtu për forcimin e mekanizmave të kontrollit, përfshirë ngritjen e një laboratori për sigurinë ushqimore, si dhe për adresimin e informalitetit dhe pabarazive në aplikimin e TVSH-së.
Sipas tyre, pa ndërhyrje konkrete dhe mbështetje më të madhe nga shteti, sektori i blegtorisë rrezikon të humbasë konkurrueshmërinë përballë tregjeve të rajonit dhe atij evropian.
Ndërsa vijonte protesta, raportohet se ministri i Financave Petrit Malaj dhe ai i Bujqësisë, Andis Salla, do të presin në zyrë 10 fermerë për të diskutuar nga afër kërkesat dhe shqetësimin e tyre.
Në këtë takim që mbahet në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të marrin pjesë fermerë nga Shkodra, Fieri, Lushnja, Korça dhe Gjirokastra.
Protestë e blegtorëve përpara Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, foto: Florian Abaza... 1 nga 9/e.xh/j.p/r.e/