E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protestë kundër ndalimit të monopatinave: Veprimet e policisë për bllokim, të paligjshme

Qytetarë janë ngritur në protestë këtë të mërkurë (15 tetor) duke kundërshtuar vendimin e Ministres së Brendshme për ndalimin përkohësisht të përdorimit të monopatinave. Protesta është organizuar nga Qëndresa Qytetare, ndërsa qytetarët janë mbledhur para komisariatit të policisë. Ata shprehen se nuk janë kundër sigurisë rrugore, por shtojnë se veprimet e policisë për bllokimin e monopatinave janë të paligjshme.

“Jemi sot me qytetarët të cilëve i është bllokuar mjeti i tyre elektrik. Jemi këtu për të kundërshtuar çdo veprim të bëra nga Policia Rrugore, janë vendime dhe bllokime të paligjshme. Qytetarët nuk janë kundër sigurisë rrugore, por kjo vjen duke vendosur disa rregulla dhe jo duke i bllokuar menjëherë një mjet për të cilin duhej të ishin njoftuar shumë kohë më parë. Policia zbatoi menjëherë urdhrin e ministrisë, pa një urdhër ligjor. Nuk mund të bëhet vetëm me një deklaratë të Ministres. Çudia është që kur policia i bllokon mjetin qytetarëve, nuk është  arsyetimi ligjor urdhri i Ministres, por që nuk provojnë me dokumentacion pronësinë e këtyre mjeteve. Një çudi, ne e sfidojmë nga këtu ministren të na provojë me një dokument që janë pronarë të sendit telefon. Veprimet kanë qenë të paligjshme për bllokimin, por paligjshmëria vijon me moskthimin e mjetit. Edhe kur i dërgon letër pronësie, sërish nuk t’i kthejnë”, u shpreh një protestues.

Një tjetër protestuese e konsideroi vendimin e ministres si “të pakuptimtë”, teksa shtoi se nuk mund të deklarohet diçka e tillë përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Kam qenë përdoruese e skuterit prej 4 vitesh, kam patentë prej 5 vitesh. Është një mjet që e përdor për të lëvizur në një qytet që nuk ka transport urban efektiv dhe ishte e vetmja mënyrë si shkoja në punë. Vendimmarrje krejt e paligjshme dhe e pakuptimtë e ministres e cila vetëm përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë një deklaratë për konfiskimin e tyre. Si mundet Ministrja përmes një deklarate në Facebook-un e saj të pengojë punë e bizneseve që merren me riparimin e skuterave. Si mund të presë një biznes 1 muaj, 2 muaj apo 3 muaj deri në liven tjetër të ministres për të vazhduar punën e vet. Është vendim që nuk ka bazë ligjore. Problemi i skuterave nga të rijnë, të mitur nga persona të papërgjegjshëm pa kokore, ka qenë problem për mua, por shteti duhet të funksionojë përmes një baze ligjore. S’mund të më konfiskohet mua mjete me një bazë ligjore të vitit 2000, kur skuterat as nuk ekzistonin”, theksoi ajo.

I pranishëm në protestë ishte edhe një përfaqësues biznesi, i cili tha se kishte falimentuar pas deklaratës së ministres për ndalimin e qarkullimit të monopatinave.

“Unë jam një përfaqësues biznesi që merret me shitjen e mjeteve të tilla. Isha duke drekuar me familjen të dielën, kur mora vesh falimentin tim. Ky bllokim i skuterave na ka bllokuar dhe rrëzuar totalisht. Nuk ka logjikë të nisësh një biznes me frikën sa do të zgjasë. Kjo rregullore e re, se ligj nuk mund të quhet, nuk ka një afat dhe kjo i dërrmon bizneset. Ministrja duhej të ishte më e qartë mbi datat, grupet e punës që duhej të ngriheshin. Unë e bëj këtë punë prej 8 vitesh dhe do të doja që të kishte një grup pune me persona”, theksoi ai.

Pas paraqitjes në komisariat, ata deklaruan se i ishte komunikuar se mjetet do jenë të bllokuara për 30 ditë, periudhë në të cilën pritet të rregullohet me ligj qarkullimi i monopatinave në qarkullimin rrugor.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e shoqëruar  nga kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, deklaroi të dielën e kaluar ndalimin përkohësisht të qarkullimit të monopatinave elektrike në rrugë.

Koçiu tha se ky vendim është një masë e përkohshme për të garantuar sigurinë publike dhe rrugore dhe sqaroi më tej se lejimi i monopatinave elektrike, pas hartimit të rregullave, do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak, dhe jo për qëllime komerciale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›