Prurjet nga reshjet, HEC-i i Moglicës hap portën e emergjencës për shkarkime të kontrolluara

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Prurjet e mëdha të ujërave në lumin Devoll, si pasojë e reshjeve intensive të katër ditëve të fundit, kanë detyruar kaskadën e HEC-it të Moglicës të hapë portën e parë të emergjencës, për të kryer shkarkime të kontrolluara dhe për të garantuar sigurinë e digës.
Mediet raportojnë se, rritja e nivelit të liqenit të Moglicës, e shkaktuar nga sasitë e shumta të reshjeve, ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e menjëhershme, me qëllim shmangien e riskut për strukturat e veprës hidrike dhe zonat përreth.
Moti i keq që ka përfshirë vendin ka shkaktuar situata të vështira në disa qarqe, ku dhjetëra banesa janë përmbytur dhe shumë familje janë detyruar të evakuohen për shkak të rritjes së nivelit të ujërave.
Autoritetet vendore, ekipet e emergjencave civile Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Forcat e Armatosura po ndërmarrin operacione në terren për të minimizuar dëmet në zonat e prekura nga përmbytjet. /j.p/