Ndotje nga reshjet në ujësjellës, Bashkia e Kolonjës ndalon përdorimin për konsum

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Bashkia e Kolonjës njoftoi sot qytetarët se uji i rrjetit nuk duhet të përdoret për konsum deri në daljen e një njoftimi të ri.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë si masë paraprake, pasi analizat e kryera mbi ujin e rrjetit të qytetit kanë treguar prezencë ndotjeje mikrobike dhe fiziko-kimike.
“Si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit, analizat e kryera mbi ujin e rrjetit të qytetit kanë treguar prezencë ndotjeje mikrobike dhe fiziko–kimike. Uji i rrjetit nuk duhet të përdoret për konsum deri në një njoftim të dytë”, bën të ditur Bashkia.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimin deri në rikthimin e normalitetit dhe publikimin e njoftimit të radhës, ndërsa specialistët e ujësjellësit dhe të shëndetit publik ndodhen në terren për të monitoruar situatën. /j.p/