Stefa: është kufizuar mendimi ndryshe në parti
Rajmonda Stefa, një nga deputetët firmëtarë të promemories brenda Partisë Socialiste, kritikoi dje ashpër liderin Edi Rama. Sipas tij, kryetarin aktual nuk e lidh asnjë gjë me PS-në, përveç egos së tij për pushtet. Stefa nënvizoi se promemoria u rrëzua nga kryetari Rama, akoma pa u njohur me përmbajtjen e saj. Ndërsa sqaron se ky dokument nuk iu adresua Asamblesë, e cila voton me frymën e kryetarit, por synonte t‘i bënte thirrje logjikës së atyre që kanë vite që kanë kontribuar dhe kanë krijuar Partinë Socialiste. "Kjo promemorie nuk e gjeti vullnetin dhe u rrëzua me 6 vota pro saj, gjë që është qesharake", konstatoi Stefa. Ajo konstatoi se Rama ka bërë thirrje për t‘u bashkuar me PS-në dhe për të marrë poste. "Por ne nuk na ndan gjë nga PS-ja, madje as zoti Rama, të cilin nuk e lidh gjë me PS-në përveç egos personale, ndaj ne as jemi larguar dhe as i kemi kërkuar poste", vlerësoi Stefa. Deputetja socialiste nënvizoi se mendimi ndryshe është kufizuar në Kryesi dhe në Asamble, sepse kryesisht dominon fryma e kryetarit. Sakaq, ajo këmbënguli se ka hapësira për të reflektuar, pasi është media e lirë dhe anëtarësia e PS-së, të cilën nuk mund ta privatizojë zoti Rama, apo ndonjë tjetër që mund të jetë konvertuar në "politikë të re". Pak ditë më parë një grup deputetësh dhe anëtarësh të Asamblesë propozuan një promemorie ku kërkohej thirrja e një kongresi të jashtëzakonshëm të partisë më datën 2 mars 2008. Dokumenti u hodh në votim në mbledhjen e forumit të lartë socialist, duke mos arritur të marrë më shumë se 7 vota.