E Diel, 1 Nëntor 2026

Punime intensive për stabilizimin e aksit Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë pas rrëshqitjes së dherave


TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar po punon me ritme të larta në disa fronte, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë, pas rrëshqitjes së dherave që preku segmentin, me synim stabilizimin e zonës dhe rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në qarkullim.

Aktualisht po punohet për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe vlerësimin teknik të zonës së prekur.

Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes në zonë.

Sipas ARRSH-së, pas përfundimit të studimit gjeologjik do të kryhet edhe ripunimi i projektit të zbatimit për këtë aks rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në afatgjatë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se do të vijojë të informojë në kohë reale mbi ecurinë e punimeve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren për stabilizimin e plotë të situatës.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›