E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Gjykatësit duhet të jenë jo vetëm të pavarur, por mbi të gjitha të paanshëm

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe të kabinetit qeveritar në Pallatin e Brigadave, se Komisioni Europian vlerëson mbi bazën e fakteve dhe rezultateve konkrete progresin e vendit në rrugën drejt integrimit europian.

“Komisioni Europian shikon faktet, lexon shifrat, kupton të dhënat e transformimit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk e sheh as përmes avujve të tenxhereve dhe as përmes fjalëve të pasionit tim”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se për Shqipërinë europiane me rend ligjor demokratik, vlerësimet janë pozitive si për arritjet në tërësi, ashtu edhe për punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Që të jemi të qartë, sa thashë më lart e sa do të them më pas për çfarë nuk shkon me prokuroritë, pa përjashtuar edhe SPAK-un që ka kusuret e veta, siç kemi dhe ne kusuret tona, nuk ka diskutim për mua që sot jemi në një pozicion tjetër në raport me të ardhmen falë pikërisht edhe SPAK-ut”, deklaroi ai.

Rama nënvizoi se ka qenë ndër zërat më inkurajues për punën e SPAK-ut dhe drejtuesve të tij ndër vite.

“Nuk besoj se unë kam një konkurrent për numrin e fjalëve inkurajuese që kam thënë qoftë për SPAK-un, qoftë për drejtuesit e mëparshëm. Shpresoj që edhe drejtuesi i ri të meritojë të njëjtat fjalë”, tha Kryeministri.

Ai shtoi se kritikat e tij ndaj sistemit të prokurorisë duhen parë si thirrje për përmirësim.

“Fjalët për atë që nuk shkon nuk janë fjalët e mia si qytetar privat, por janë fjalët e mia si Kryeministër i një vendi që nuk mund të paguajë çmimet që kanë paguar vende të tjera, kur kura është bërë më e rrezikshme se sëmundja”, u shpreh Rama.

Sipas tij, gjykatësit duhet të jenë jo vetëm të pavarur, por mbi të gjitha të paanshëm.

“Të jesh gjykatës do të thotë të jesh i paanshëm, jo thjesht i pavarur. I pavarur dhe i anshëm është një tmerr për këdo”, theksoi ai.

Duke folur për rolin e gjyqtarëve, Rama paralajmëroi për rrezikun e një drejtësie të njëanshme.

“Çfarë mund të presë njëra palë nga gjykatësi, kur gjykatësi bëhet palë me akuzën dhe i kërkon akuzës të rëndojë pozitën e palës tjetër? Kjo nuk është më një gjyq me një gjykatës. Është një përballje e kotë midis një njeriu që s’ka asgjë në dorë dhe një force të verbër të një pushteti që i ka të gjitha në dorë, përfshirë edhe për të paracaktuar fatin e jetës së tij”, theksoi Kryeministri.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›