E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushime të sigurta në plazh, si t’i mbroni fëmijët nga dielli

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmes Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Shkodër, përcolli sot disa këshilla për pushuesit për një qëndrim sa më të sigurt në plazh gjatë ditëve të nxehta të verës, me vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve.

Specialistja e NJVKSH Shkodër, Sabina Shabani, thekson rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve nga ekspozimi i zgjatur në diell, hidratimin e vazhdueshëm dhe përdorimin e kremit mbrojtës me faktor të lartë.

“Kremi mbrojtës duhet të riaplikohet pas çdo hyrjeje në det dhe çdo dy orë gjatë ekspozimit në diell”, tha ajo.

Një tjetër këshillë e rëndësishme lidhet me mbikëqyrjen e fëmijëve në bregdet. “Asnjëherë mos i lini fëmijët pa praninë e një të rrituri”, apelon specialistja.

Për të shmangur pasojat e temperaturave të larta dhe ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, rekomandohet shmangia e qëndrimit në diell në oraret 11:00–16:00, si dhe përdorimi i kapelës dhe veshjeve të përshtatshme.

Gjithashtu, prindërit këshillohen të kujdesen që fëmijët të konsumojnë mjaftueshëm ujë gjatë gjithë ditës, për të parandaluar dehidratimin.

“Temperaturat janë shumë të larta, ndaj kujdesi për shëndetin është primar”, shprehet Shabani.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›