E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarkullimi me zinxhir në disa akse rrugore


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se reshje dëbore janë regjistruar në zonën veriore dhe juglindore të vendit, duke prekur akse të rëndësishme si Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Razëm, Kukës-Shishtavec, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë, Qafë Bualli-Krastë, Ersekë-Leskovik, Maliq-Kufi Gramsh, Libonik-Rëmbec-Plasë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Zemblak-Dog. Goric dhe Qafë Thanë.

Në disa segmente rrugore qarkullimi kryhet me zinxhir, konkretisht në degëzimin Vermosh-Dogana, aksin Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë-Trau-Teleferik, Krujë-Sarisalltik, si dhe në Qafë Mali-Fierzë.

Ndërkohë, problematika më të theksuara paraqiten në aksin Qafë Thore-Theth, ku rruga është e bllokuar si pasojë e rënies së orteqeve, në Qafë Dushk-Sevaster në kilometrat 10-11, ku qarkullimi zhvillohet me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, si dhe në aksin Përmet-Tre Urat, në zonën e Urës së Petranit, ku janë konstatuar shkarje masive aktive.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë të shtuar, për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore, me qëllim garantimin e qarkullimit normal dhe shmangien e problematikave për përdoruesit e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht kur lëvizin drejt zonave malore ku ka prezencë dëbore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›