E Diel, 1 Nëntor 2026

Situatë e qëndrueshme në Shkodër, nivelet e lumenjve nën kuotat kritike

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Në qarkun Shkodër rreth 525 hektarë tokë vijojnë të jenë nën prezencë uji, ndërsa nivelet e lumenjve mbeten të qëndrueshme dhe nën kuotat kritike, sipas përditësimit të strukturave të emergjencave civile.

Prefektura e Shkodrës bën të ditur se situata në nivel qarku paraqitet e pandryshuar, ndërsa infrastruktura ujore po funksionon normalisht. Hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit po mbahen në kuota të sigurta, pa probleme në argjinatura, kanale apo në shkarkuesit e digës së rezervuarit të Shtodrit.

Në territorin e Bashkisë Shkodër, në fshatrat Obot dhe Dajç vijon të ketë prezencë uji në oborret e disa banesave, por pa rrezik për banesat dhe pa nevojë për evakuime deri në këto momente.

Rruga e Obotit është e kalueshme për mjete me kalueshmëri të lartë të ushtrisë, ndërsa banorët janë furnizuar me pako ushqimore dhe ujë të pijshëm. Në fshatin Dajç situata paraqitet e qëndrueshme, pa banesa të izoluara nga uji.

Në bashkinë Malësi e Madhe situata mbetet e qetë, ndërsa rruga e fshatit Preknicaj është bërë e kalueshme pas ndërhyrjeve të kryera pas tërheqjes së përroit.

Në bashkinë Vau Dejës vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët, pa problematika të raportuara, ndërsa në bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz janë regjistruar reshje dëbore nga 10 deri në 15 centimetra, pa ndikim në jetën e komunitetit.

Sa i përket qarkullimit rrugor, në aksin Hani i Hotit-Vermosh janë regjistruar reshje të dendura dëbore dhe erë e fortë në lartësitë mbi 700 metra, ndërsa në Qafën e Perdolecit trashësia e dëborës ka kaluar 80 centimetra, ndaj qarkullimi rekomandohet vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë.

Në aksin Bogë-Qafë Thore-Theth, dëbora ka arritur deri në 120 centimetra në disa segmente të rrugës, ndërsa segmenti pranë tunelit panoramik është bllokuar nga orteqet.

Një automjet i mbetur i bllokuar është ndihmuar nga firma kontraktore, e cila vijon punën pa ndërprerje për pastrimin e aksit.

Të gjitha ekipet e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Forcat Tokësore prej disa ditësh po lehtësojnë aksesin e banorëve të zonës së Obotit. j.p

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›