E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qendër Komunitare Multifunksionale në shërbim të qytetarëve të Cërrikut

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Një godinë e vjetër në Cërrik është shndërruar në Qendër Komunitare Multifunksionale përmes programit të Bashkimit Evropian “EU4SocialCare”.

Kjo qendër është një hapësirë mikpritëse ku njerëzit mund të gjejnë shërbime të përditshme në një vend: aktivitete mësimore, mbështetje familjare dhe sociale, këshillim, hapësira loje dhe studimi, si edhe udhëzim të thjeshtë për punësim dhe aftësi, bëri të ditur zyra për shtyp e Bashkimit Evropian.

Të interesuarit mund të bëjnë pyetje dhe të marrin informacion në këtë qendër ose të regjistrohen për aktivitete në vend.

Ajo që ofrohet brenda qendrës pasqyron nevojat lokale.

Fëmijët dhe të rinjtë ndanë ide gjatë përgatitjes së qendrës, ndaj aktivitetet dhe shërbimet përputhen me atë që kërkoi komuniteti.

Qëllimi është që t’u lehtësohet banorëve aksesi te shërbimet e dobishme, afër shtëpisë.

Qendra nuk është vetëm një godinë e re, por një model i ri mbështetjeje. Ajo do të ofrojë shërbime të integruara që ndihmojnë familjet në nevojë të gjejnë mbështetje, trajnim, këshillim dhe mundësi konkrete për t’u integruar në jetën shoqërore e ekonomike.

Këto shërbime financohen nga Bashkimi Evropian dhe zbatohen nga UNICEF dhe World Vision, në bashkëpunim me ‘Help in Albania’, Qendrën për Edukim, Sport dhe Aftësi, Bashkinë Cërrik dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›