E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qendër e re Ekselence në Bujqësi në shkollën “Mihal Shahini”, me mbështetjen e Izraelit

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj njoftoi sot nisjen e punimeve për ngritjen e një Qendre të re të Ekselencës në Bujqësi, pranë shkollës profesionale bujqësore “Mihal Shahini”, në Cërrik të Elbasanit.

Sipas saj, kjo qendër do të ngrihet në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe me mbështetjen e Agjencisë Izraelite për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MASHA).

Denaj tha se, gjatë një vizite të zhvilluar në ambientet e shkollës, ekipi i MASHAV kreu vlerësime teknike duke inspektuar tokën, furnizimin me ujë dhe infrastrukturën ekzistuese, përfshirë edhe serrat.

Ata zhvilluan gjithashtu takime me furnitorët për të garantuar një nisje efikase të projektit.

“Qendra e re do të fokusohet në nevojat e prodhuesve të vegjël dhe të mesëm, duke ofruar një platformë trajnimi praktik për të rinjtë që ndjekin arsimin profesional bujqësor. Qëllimi është përgatitja e tyre sipas kërkesave të tregut dhe vizionit strategjik “Shqipëria 2030”. Qendra do të funksionojë si një fermë demonstrimi moderne”, u shpreh ministrja.

Ajo do të shërbejë si një hapësirë inovacioni për bujqësinë, duke promovuar efikasitetin, planifikimin, rritjen e prodhimit dhe cilësisë, menaxhimin para korrjes, shitjet dhe eksportet. Ky model synon të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për fermerët dhe të kontribuojë në sigurinë ushqimore të vendit.

Ministria Denaj shprehu falenderime për Ambasadën e Izraelit për kontributin e saj në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar dhe për sjelljen e përvojës dhe praktikave më të mira izraelite në këtë fushë.

1 nga 3

/e.xh//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›