Krijohet regjistri elektronik i nëpunësve të mbrojtjes së të dhënave personale

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për krijimin, pranë institucionit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim, KDIMDHP), e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri elektronik i nëpunësve të mbrojtjes së të dhënave personale” (në vijim, RENMDHP), përmbajtja e së cilës publikohet në faqen zyrtare të internetit të KDIMDHP-së.
“KDIMDHP-ja është përgjegjëse për krijimin, mbajtjen, administrimin, ndërveprimin me bazat e tjera dhe bërjen të disponueshëm të informacionit, në përmbajtje të bazës së të dhënave “Regjistri elektronik i nëpunësve të mbrojtjes së të dhënave personale””, thuhet në vendim.
Sipas vendimit të qeverisë RENMDHP-ja përmban të dhëna për nëpunësit e mbrojtjes së të dhënave personale (në vijim, NMDHP), caktuar nga kontrolluesit dhe përpunuesit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton se të dhënat që do të mbahen në RENMDHP do të ndahen në dy kategori: të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore.
Ngarkohet Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/m.q/r.e/a.f/