Rregulla të reja për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi kriteret dhe procedurat e reja të trajtimit me ushqim gjatë qëndrimit në punë për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke përcaktuar kategoritë përfituese dhe normat ditore të ushqimit.
Sipas vendimit, punonjësit e policisë përfitojnë një vakt dreke kur shërbimi zgjat 8 orë dhe tri vakte kur janë të angazhuar në gatishmëri, situata emergjente, zgjedhje apo shërbime që kalojnë orarin normal të punës.
Me tre vakte trajtohen gjithashtu punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, studentët dhe kursantët gjatë trajnimeve shumëditore, ndërsa për shtetasit e huaj që hyjnë ilegalisht në vend, shtetasit shqiptarë të rikthyer dhe personat e ndaluar apo të arrestuar trajtimi ofrohet pa pagesë gjatë procedurave verifikuese.
Ushqimi do të sigurohet në mensa ose përmes shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes, ndërsa në rastet kur kjo nuk është e mundur, punonjësit kompensohen financiarisht me 500 lekë për një vakt dreke ose 900 lekë për tri vakte, vlera që do të indeksohen çdo vit sipas inflacionit të INSTAT-it.
Efektet financiare do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme, ndërsa vendimi i vitit 2017 për trajtimin me ushqim shfuqizohet.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe efektet financiare zbatohen nga 1 janari 2026. /j.p/