E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria nis konsultimet për rinovimin e ndërtesave me eficiencë energjetike, investimi 25,2 miliardë euro

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik Planin Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave, një strategji e fokusuar në modernizimin dhe rritjen e eficiencës energjetike të ndërtesave rezidenciale, publike dhe të shërbimeve.

Plani synon uljen e emetimeve të gazeve me efekt serrë dhe transformimin e stokut ekzistues të ndërtesave në objekte pa emetime deri në vitin 2050, duke adresuar edhe reduktimin e varfërisë energjetike.

Sipas analizave të përfshira në plan, sipërfaqja totale e ndërtesave në vend do të rritet nga 81,17 milionë metra katrorë në vitin 2023 në 140,54 milionë metra katrorë në vitin 2050.

Investimi i nevojshëm për ndërhyrjet në eficiencën e energjisë parashikohet të arrijë 25,22 miliardë euro, ndërsa kursimet e pritshme do të mund të mbulojnë këtë kosto brenda një dekade.

Plani identifikon potencial kursimi energjie nga 40 deri në 95% për ndërhyrjet e thella në ndërtesa dhe thekson se periudha më e shpejtë e kthimit të investimit do të jetë për ndërtesat private dhe komerciale, për shkak të çmimeve më të larta të energjisë në këtë sektor.

Përfitimet e pritshme nga implementimi i masave janë ekonomike, mjedisore dhe sociale, duke përfshirë reduktimin e ndotjes, nxitjen e rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Një nga sfidat kryesore mbetet sigurimi i financimit, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta dhe institucionet lokale, ndaj parashikohen mekanizma mbështetës financiarë.

Po ashtu, planifikohet ngritja e kapaciteteve teknike dhe administrative dhe rritja e ndërgjegjësimit të publikut për përfitimet e rinovimit.

Monitorimi i zbatimit do të bëhet çdo dy vjet, ndërsa rishikimi i planit do të kryhet çdo pesë vjet.

Për realizimin e këtij plani përgjegjëse do të jenë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia për Eficiencën e Energjisë.

Me këtë iniciativë, Shqipëria synon të përmbushë objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare për energjinë dhe klimën, duke ndërtuar një infrastrukturë më të qëndrueshme dhe efikase energjetikisht.

1 nga 10

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›