Qeveritë e 6 vendeve të rajonit angazhohen të marrin masa për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor janë rritur me më shumë se 2°C, pothuajse dyfishi i mesatares globale.
Ndërkohë rajoni përballet me më shumë thatësira, përmbytje dhe zjarre. Kjo situatë i ka shtyrë qeveritë e 6 vendeve të rajonit që në takimin e dytë ministror për Agjendën e Gjelbërt për Ballkanin Perëndimor të miratojnë një deklaratë të përbashkët, ku zotohen të marrin masa të koordinuara mes tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanović, tha se kjo deklaratë nuk është thjesht një dokument politik tjetër, por një angazhim për të vepruar.
“Deri në vitin 2028, Ballkani Perëndimor Gjashtë duhet të zvogëloj përdorimin e plastikës njëpërdorimëshe më ndotëse me 80%. Deri në vitin 2030, paketimet plastike duhet të përmbajnë të paktën 30% material të ricikluar dhe 40% e mbetjeve komunale duhet të riciklohen. Rajoni duhet gjithashtu të mbrojë 30% të tokës dhe zonave detare, me të paktën 10% nën mbrojtje të rreptë”, theksoi Kapetanović.
Për t’u përshtatur, rajonit do t’i nevojiten rreth 37 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme.
Takimi rajonal u organizua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
/k.s/j.p/