FOKUS – Armëpushim i brishtë në Gaza, trupat e pengjeve ende pengesë për paqen

TEL AVIV, 14 tetor /ATSH/ – Armëpushimi i brishtë mes Izraelit dhe Hamasit, që i dha fund dy viteve luftë të përgjakshme, po mbahet për momentin, edhe pse shumë çështje të ndërlikuara mbeten të pazgjidhura, sipas AP.
Kjo vjen një ditë pas gëzimit të madh në Izrael për kthimin e 20 pengjeve të fundit të gjallë nga Gaza dhe lirimin e qindra të burgosurve palestinezë në këmbim.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te trupat e 24 pengjeve të vrarë, që besohet se ndodhen ende në Gaza dhe pritet të kthehen në Izrael sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Deri tani, vetëm katër trupa janë dorëzuar, ndërsa autoritetet izraelite identifikuan sot dy prej tyre; Guy Illouz, një i ri izraelit, dhe Bipin Josh, student nga Nepali.
Të dy u morën peng më 7 tetor 2023, dita që shënoi shpërthimin e luftës pas sulmit të Hamasit mbi Izraelin.
Pengjet izraelite të liruara ndodhen nën kujdes të mjekëve, dhe familjet e tyre thonë se do të duhen javë për rikuperim. Në anën tjetër, disa prej qindra palestinezëve të liruar janë dërguar gjithashtu në spitale në Bregun Perëndimor dhe në Gaza.
Incident në kufirin e veriut të Gazës
Ushtria izraelite njoftoi se trupat e saj hapën zjar ndaj disa personave që iu afruan vijës së verdhë në veri të Gazës, duke mos iu bindur urdhrave për t’u ndalur. Ende nuk është bërë e ditur nëse ka viktima.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli duhet të tërhiqet deri në vijën e verdhë, ku ndodheshin forcat e tij në gusht, përpara ofensivës së fundit në qytetin e Gazës.
Sfida të mëdha përpara: qeverisja, çarmatimi dhe rindërtimi
Ndër çështjet më të ndjeshme që mbeten pezull janë çarmatimi i Hamasit, qeverisja e ardhshme e Gazës, dhe e ardhmja politike e palestinezëve me kërkesën për shtetësi që mbetet në qendër të axhendës diplomatike të rajonit.
“Hapat e parë drejt paqes janë gjithmonë më të vështirat”, deklaroi presidenti Trump dje gjatë samitit për të ardhmen e Gazës në Egjipt, ku morën pjesë udhëheqës të huaj, por jo përfaqësues nga Izraeli apo Hamasi.
Trump e përshkroi marrëveshjen si “fundin e luftës në Gaza dhe fillimin e rindërtimit të territorit të shkatërruar.
70 miliardë dollarë për rindërtimin e Gazës
Sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, rindërtimi i Gazës do të kërkojë rreth 70 miliardë dollarë.
Nga kjo shumë, 20 miliardë do të nevojiten në tre vitet e para, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet në dekadat e ardhshme, deklaroi përfaqësuesi i UNDP-së Jaco Cillers.
Në samitin e Egjiptit, Trump u bëri thirrje vendeve të rajonit që të “lënë pas armiqësitë e vjetra” dhe të përqendrohen në ndërtimin e paqes afatgjatë.
Armëpushimi, ndonëse ende i brishtë, përbën momentin e parë të qetësisë në një luftë që ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës. Por rruga drejt paqes mbetet e gjatë dhe plot pengesa. /Ad.Ab./