RIO DE ZHANEIRO – Irani kundër zgjidhjes me dy shtete në konfliktin Izrael-Palestinë

RIO DE ZHANEIRO, 7 korrik /ATSH-ANSA/- Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha në një postim në Telegram se vendi i tij “shpreh rezerva” në lidhje me propozimin për një zgjidhje me dy shtete – një shtet izraelit dhe një shtet palestinez – të përfshirë në deklaratën përfundimtare të udhëheqësve të BRICS, të publikuar një ditë më parë.
Sipas presidentit, Teherani do ta regjistrojë kundërshtimin e tij në një deklaratë.
Në fjalimin e tij në samit, ministri tha se sulmet e fundit ndaj Iranit ishin një akt agresioni që përfaqësonte një goditje vdekjeprurëse ndaj diplomacisë, ligjit dhe Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore – në të cilin Teherani është palë – dhe që kufizon përdorimin e teknologjisë atomike për qëllime paqësore.
Araghchi theksoi gjithashtu se Republika Islamike e Iranit besonte se një zgjidhje e drejtë për Palestinën do të ishte një referendum me pjesëmarrjen e të gjithë banorëve vendas, përfshirë hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, dhe se kjo nuk ishte një zgjidhje jorealiste ose e paarritshme.
Gjatë negociatave mbi tekstin e deklaratës përfundimtare, delegacioni iranian bëri thirrje për një dënim më të ashpër ndaj bombardimeve të kryera nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. //a.i/