E Martë, 3 Nëntor 2026

ROMË – Trupi i papa Françeskut transferohet në Bazilikën e Shën Pjetrit për homazhe publike

ROMË, 23 prill /ATSH-DPA/- Trupi i të ndjerit papa Françesku u transferua sot në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku besimtarët do të mblidhen për homazhe publike.

Papa i ndjerë u transportua në një arkivol të hapur nga rezidenca e Casa Santa Marta – ku Françesku vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare – në kishë.

Ai u shoqërua nga tetë roja zvicerane dhe disa dhjetëra kardinalë.

Papa i ndjerë do të qëndrojë në kishën më të rëndësishme të Katolikizmit Romak deri të premten në mbrëmje.

“Kardinali Kevin Farrell – kreu në detyrë i Vatikanit derisa të zgjidhet një papë i ri – do të kryesojë mbylljen ceremoniale të premten në orën 20:00”, njoftoi Vatikani.

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të bëjnë nderimet e tyre këtë javë. Adhuruesit e parë janë vendosur në radhë që herët në mëngjes për të hyrë në bazilikë.

Të dielën e Pashkëve, papa Françesku u pa për herë të fundit i gjallë nga publiku – pas bekimit tradicional “Urbi et Orbi” nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.

Papa me origjinë argjentinase, i cili ishte Papa i dytë më i vjetër në histori, tashmë dukej shumë i dobët. Ai vdiq të hënën në mëngjes. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›