E Diel, 1 Nëntor 2026

RTSH nis reformën institucionale nën udhëheqjen e Unionit Europian të Transmetuesve Publikë

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Radio Televizioni Shqiptar nis zyrtarisht reformën institucionale, të udhëhequr nga Unioni Europian i Transmetuesve Publikë.

Drejtori i përgjithshëm i Unionit Evropian të Transmetuesve Publikë (EBU), Noel Curran, zhvilloi një vizitë në Radio Televizionin Shqiptar, ku u prit nga drejtoresha e përgjithshme, Eni Vasili. Gjatë takimit, Curran u njoh nga afër me sfidat dhe situatën komplekse që po kalon media publike në vend.

Në kuadër të kësaj vizite, drejtori i EBU-së, i shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili dhe drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë, pati një takim edhe me Kryeministrin Edi Rama.

Gjatë këtij takimi, Kryeministrit iu prezantua dhe raporti 60 faqësh i përgatitur nga grupi i ekspertëve të EBU dedikuar RTSH.

Pas njohjes me gjetjet e këtij raporti dhe planit të veprimit, Kryeministri shprehu mbështetjen e tij për nisjen e reformës institucionale të RTSH dhe për procesin e transformimit të transmetuesit publik në një institucion modern, të qëndrueshëm dhe në shërbim të publikut.

Kjo vizitë përbën një moment të rëndësishëm për RTSH dhe një mesazh të qartë të mbështetjes së EBU për procesin e reformës në RTSH dhe vjen pas misionit të Shërbimeve Transformuese në datat 18-20 nëntor 2025, ku përgjatë 3 ditëve pune grupi i ekspertëve punoi ngushtësisht me stafin e RTSH për të hartuar një raportdiagnozë të institucionit.

Bashkëpunimi i ngushtë me EBU shënon fillimin e një faze të re reforme për Radio Televizionin Shqiptar, me synimin për të forcuar rolin e tij si një transmetues publik i besueshëm, i pavarur dhe në shërbim të qytetarëve. /r.e//a.g/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›