RUSI – Kryetari i parlamentit paralajmëron Merz për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve

MOSKË, 7 qershor /ATSH-DPA/- Kryetari i parlamentit rus, Vyacheslav Volodin paralajmëroi sot për rrezikun e një përshkallëzimi të tensioneve midis vendit të tij dhe Gjermanisë në një mesazh drejtuar ligjvënësve në Berlin.
“Elita aktuale qeverisëse gjermane po krijon kushtet për një përkeqësim të situatës dhe po provokon përplasje midis vendeve tona”, tha Volodin në mesazhin drejtuar udhëheqësve të partive kryesore parlamentare të Gjermanisë.
“Pyetja është nëse popullsia gjermane dëshiron një përballje”, tha kreu i Dumës Shtetërore në Moskë.
“Ne nuk e duam këtë. Por nëse vjen deri te kjo, atëherë jemi gati për të”, tha Volodin, duke përmendur mbështetjen gjithnjë e më të madhe të Berlinit për Kievin në luftën në Ukrainë, e cila tani është në vitin e saj të katërt.
“Ne e dimë që qeveria gjermane po planifikon prodhimin e raketave në Ukrainë. Kjo do të thotë që Gjermania po tërhiqet gjithnjë e më shumë në veprime ushtarake kundër Rusisë”, tha Volodin.
“Ju vetë e kuptoni se ku mund të çojë kjo”, tha ai, duke iu referuar Luftës së Dytë Botërore.
Arsyeja specifike e kritikave të tij – ishte deklarata e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili vlerësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çlirimin e Gjermanisë nga nazistët në takimin e tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, këtë javë.
Volodin akuzoi Merz se nuk kishte kujtuar kontributin e madh të Bashkimit Sovjetik në fitoren ndaj Gjermanisë naziste.
“Ishte Bashkimi Sovjetik që mundi fashizmin dhe shpëtoi planetin nga murtaja”, tha kryetari i Dumës. //a.i/