E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA vendos sanksione ndaj rrjetit iranian të pastrimit të parave

UASHINGTON, 7 qershor /ATSH-DPA/- Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi dje në mbrëmje sanksione ndaj më shumë se 30 individëve dhe kompanive të akuzuara – se kanë ndihmuar Iranin të shmangë sanksionet dhe të pastrojë miliarda të ardhura nga shitjet e naftës dhe petrokimikateve – për të financuar programet e tij bërthamore dhe raketore.

“Rrjeti i sanksionuar vepronte si një “sistem bankar hije” që përfshinte kompani fasade në vende si Hong Kongu dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha departamenti në një deklaratë.

Qëllimi ishte të anashkalonin sanksionet ekzistuese, të fshihnin origjinën e të ardhurave nga nafta dhe të kanalizonin paratë në projekte të lidhura me ushtrinë.

Sanksionet e reja ngrijnë çdo pasuri me bazë në SHBA – të subjekteve të synuara – dhe u ndalojnë qytetarëve amerikanë të bëjnë biznes me to.

Masat gjithashtu e ndërlikojnë aftësinë e atyre të sanksionuar për të vepruar ndërkombëtarisht, veçanërisht në transaksionet që përfshijnë dollarë amerikanë.

Uashingtoni dhe Teherani janë të angazhuar në negociata mbi të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë vazhdimisht se synon të parandalojë Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Teherani këmbëngul se aktivitetet e tij bërthamore janë thjesht për qëllime civile.

Trump ka paralajmëruar se veprimi ushtarak mbetet ende në tryezën e bisedimeve nëse diplomacia dështon. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›