Raketat ndaj Emirateve të Bashkuara, Rama: Dënojmë këtë sulm terrorist! Irani vazhdon të eksportojë dhunë

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas sulmeve me raketa të drejtuara nga Irani ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përmes një reagimi në “X”, Rama thekson se, “Shqipëria, e dënojmë në termat më të ashpër këtë sulm terrorist nga një regjim që vazhdon të eksportojë dhunë, paqëndrueshmëri dhe pasiguri përtej kufijve të tij”.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Sulmet me raketa nga Shteti terrorist i Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, një vend mik, janë një akt i pamatur, i paprovokuar dhe krejtësisht i pajustifikueshëm agresioni kundër një shteti sovran dhe kundër vetë paqes rajonale. Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën sërish sot me sulme me raketa dhe dronë dhe ne, Shqipëria, e dënojmë në termat më të ashpër këtë sulm terrorist nga një regjim që vazhdon të eksportojë dhunë, paqëndrueshmëri dhe pasiguri përtej kufijve të tij.
Të shënjestruarit e Emirateve të Bashkuara Arabe, një vend që qëndron për paqe, progres, stabilitet dhe partneritet përtej feve, racave, gjuhëve dhe rajoneve, nuk është vetëm një sulm ndaj një shteti, por një sulm ndaj vetë mundësisë së paqes dhe sigurisë në Gjirin Persik dhe shumë më gjerë.
Solidariteti ynë i plotë është me udhëheqjen, popullin dhe mbrojtësit e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ata që kërkojnë të terrorizojnë vendet e lira përmes raketave dhe frikësimit duhet ta dinë se akte të tilla vetëm sa thellojnë izolimin e tyre dhe forcojnë vendosmërinë e atyre që qëndrojnë për sovranitet, siguri dhe paqe globale. Irani duhet të mbahet plotësisht përgjegjës për këtë përshkallëzim të rrezikshëm dhe, para së gjithash, për hir të vetë popullit të tij, i cili mbetet peng i një regjimi që qeveris me instinktet e Epokës së Gurit, ndërsa e tërheq një komb të lashtë gjithnjë e më thellë drejt izolimit, terrorit dhe vetëshkatërrimit.

Ndërkohë, televizioni amerikan CNN ka raportuar se Izraeli po bashkërendon veprimet me Shtetet e Bashkuara për mundësinë e rifillimit të sulmeve kundër Iranit. Lajmi u publikua në një moment kur tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar dhe rrezikojnë armëpushimin.
Sipas një burimi izraelit të cituar nga CNN, koordinimi përfshin përgatitjen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane. Në shënjestër janë gjithashtu edhe zyrtarëvet e lartë të Iranit.
Burimi theksoi se synimi do të ishte zhvillimi i një fushate të shkurtër ushtarake, me qëllim rritjen e presionit ndaj Iranit për të bërë lëshime të mëtejshme në negociata. Megjithatë, vendimi përfundimtar për rifillimin e operacioneve i takon vetëm presidentit amerikan, Donald Trump.