Rama pritet nga Macron në Pallatin Elysee, merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris

Gjatë vizitës së tij në Francë, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, u prit nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe zonja e parë Brigitte Macron në Pallatin Elysee.
Pritja u zhvillua në kuadër të darkës zyrtare që Presidenti Macron organizoi me rastin e pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Paris.
Kryeministri Rama ndodhet në Paris me ftesë të Presidentit Macron për të marrë pjesë në këtë forum, ku do të jetë pjesë e panelit të diskutimit me temë “Diplomacia në një botë të ndarë: Lidershipi rajonal dhe e ardhmja e multilateralizmit”, të moderuar nga Gilles Gressani, drejtor i revistës “Le Grand Continent”.
Forumi i Paqes në Paris ka si synim riformësimin e diplomacisë në një botë në ndryshim, përballë sfidave gjeopolitike, zhvillimeve teknologjike dhe krizës klimatike. Si një platformë bashkëpunimi shumëpalësh, ai sjell së bashku qeveri, organizata ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të ndërtuar zgjidhje të përbashkëta në funksion të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm global.
/rtsh.al/