Rama: 56% e grave dhe vajzave dhe gjysma e burrave në vend mbështesin PS

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se 56% e grave dhe vajzave në Shqipëri mbështesin dhe votojnë Partinë Socialiste dhe ky është një avantazh që kjo forcë politike e ka sapo hyn në një fushëbetejë elektorale.
Gjatë takimit të zhvilluar sot me gra e vajza të qarkut Shkodër, Rama tha se PS ka arritur që të vendosë një ekuilibër mes burrave dhe grave, një ekuilibër që mungonte plotësisht.
“Unë besoj se nëse Shqipëria pati një periudhë aq dramatike të një tranzicioni aq të vështirë dhe populli shqiptar vuajti nga shumë vendime të gabuara, një ndër arsyet themelore ishte se vendimmarrja kishte një mungesë të madhe: mungonte zëri i gruas. Sa edhe ato shumë pak gra që patën kurajën dhe gjetën rrugën për t’u ngjitur në skenën e përballjes publike politike faktikisht dukeshin aq të vetmuara, sa shpesh detyroheshin të silleshin si burra”, tha Rama.
Sipas Ramës, dikur në PS kishte vetëm 12% gra dhe vajza, të regjistruara, por jo aktive sepse askush nuk i thërriste, ndërsa sot kjo shifër ka shkuar në 40%.
“Jeni 39 mijë, por ne nuk duhet të ndalemi deri sa gratë dhe vajzat në këtë familje të madhe politike të jenë 50 mijë”, nënvizoi Rama.
“Ajo që është ende më kuptimplotë, shikojeni skuadrën tonë në Shkodër. Jo vetëm që janë gjysmat gra dhe vajza në listën e deputetëve, por edhe në listën e mbyllur, përsëri ne kemi gjysmat që janë gra dhe vajza. Dhe në rang republike, jemi partia që kemi numrin më të madh të grave dhe vajzave kandidate, por jemi partia që kemi numrin ku e ku më të madh të grave dhe vajzave deputete, sepse 52% e listave të mbyllura janë gra dhe vajza”, pohoi Kryeministri, teksa shtoi se kjo qasje është reflektuar në shumë aspekte në shoqëri.
Rama tha se “burrat shqiptarë i kanë besuar gjithmonë gratë, madje i kanë besuar vendimet më të vështira, sepse gjithmonë burrat shqiptarë e kanë ditur se gratë janë më të zgjuara se ata, por asnjëherë s’kanë dashur ta pranojnë”.
“Sa më shumë i bien gjoksit nëpër kafene, aq më të urtë janë kur shkojnë te gratë. Mua më vjen keq që duke i kushtuar në këtë rrugëtim drejt 11 majit një rëndësi të veçantë këtyre takimeve të mëdha me gratë dhe vajzat, kam mërzitur disa burra. E para, arsyeja pse unë besoj se këto takime me gra dhe me vajzat me këtë pjesëmarrje masive, që nuk janë thjesht votueset tona, por janë pararoja e armatës së fitores së 11 majit janë shumë të rëndësishme, sepse mua jeta politike më ka mësuar se sa të drejtë kishte Margaret Thatcher kur thoshte: “Do të bësh muhabet, ulu me burra, do të mbarosh punë, ngrihu në këmbë dhe bëje me gra””, nënvizoi Rama.
Nga ana tjetër, Rama deklaroi se “PS hyn në çdo fushë beteje elektorale me një avantazh sapo fusim këmbën në fushë, sepse 56% e grave dhe vajzave të Shqipërisë mbështesin dhe votojnë PS-në. Kur vjen puna tek burrat nuk jemi në këtë diferencë me kënetën, por sërish gjysma e burrave dhe djemve mbështesin dhe votojnë PS”.
/r.e/a.f/