Rama: Në dy vite bëmë për Shkodrën si asnjëherë më parë, PD solli vetëm dëme

TIRANË, 25 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se vetëm në dy vjet PS ka bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku.
Në një takim me gratë dhe vajzat e Shkodrës, Rama u shpreh se “në dy vjet ne kemi ndërtuar sa kemi mundur por nuk kemi bërë asnjë dëm, ndërsa në gjitha vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar ‘Noc Rrokun’ dhe kanë bërë vetëm dëme”.
Rama vlerësoi kontributin veçanërisht të grave shkodrane, që në zgjedhjet vendore të vitit 2023 Shkodra ia dha fitoren Partisë Socialiste.
“Vija këtu më parë dhe thosha: Na besoni një herë të vetme këtë punë t’ju them se çfarë di të bëj, pastaj gjykoni vetë. Sa herë ia besuan “kënetës”, zhytu më thellë e voto më shumë për “kënetën”. Desh Zoti i Madh, falë jush, se pa qenë konspiracioni juaj që ‘hajdeni njëherë të shkojmë ta provojmë këtë rrugën tjetër, se vdiqëm duke përsëritur të njëjtën gjë dhe duke besuar se do të marrim një rezultat tjetër, nuk ndodh’, ne sot kemi mundësi t’ju themi të gjithëve se vetëm në dy vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku”, tha Rama.
Rama theksoi se sot për herë të parë pas shumë vitesh kur hyri në Shkodër nuk u ndje sikur po hynte në Kandahar.
“Ishte çliruar komplet pjesa e majtë që sheh liqenin. Aty do të bëjmë një nga parqet më të bukura të Shqipërisë”, tha Rama, duke folur për investimet në Shkodër.
Rama u shpreh se dy vite më parë Shkodra gjendej në “errësirë”, sepse i besonte sekretarit të Enver Hoxhës që për 25 vjet i shërbeu Byrosë Politike dhe ka internuar njerëz.
“Nuk është vetëm Shkodra, por jam i fiksuar me bashkinë e Shkodrës, se këtu e kam pasur dhe kunjin më të madh: fito gjithë Shqipërinë, hajde këtu, humb. Duke qenë se kam edhe gjyshen katolike shqiptare – që më ka pagëzuar katolik – më vinte plasja, thosha: Çfarë kanë këta me mua? Mendoja, ‘nuk janë mirë, se që të më thonë mua komunist dhe të mbajnë në krah një sekretar të Enver Hoxhës që për 25 vjet i ka shërbyer Byrosë Politike dhe ka internuar njerëz, se me demek ishte simboli i lirisë’, mua më dukej se nuk kishte më shpresë këtu dhe Shkodra do mbetej shumë gjatë në errësirën ku e gjetëm ne bashkë me Benetin dy vite më parë”, tha Rama.
Rama tha se sot Shkodra jo vetëm ka shpresë, por ka hyrë në një rrugë shpresoj pa kthim. “Shpresoj pa kthim, se nuk e di se çfarë thotë mendja e burrave të Shkodrës, por duke ju parë juve këtu, të paktën gjysmën e burrave në rregull i kemi”, shtoi Rama.
Kryeministri u ndal te investimet që po bëhen për rindërtimin e shkollave në Shkodër, dhe solli në vëmendje gjendjen e mjeruar ku ato ndodheshin.
“Nuk kam ndjerë ndonjëherë prej kohësh atë djegie në gjoks se sa kur kam hyrë me Benet Becin para ca kohësh te ‘Ndre Mjeda’, një nga shkollat më të mira me rezultate të fëmijëve. Një godinë që nuk e gjen më në qytetet qendra qarku të Shqipërisë. Duhet të shkosh shumë në periferi që të gjesh një godinë si ajo e shkollës ‘Ndre Mjeda’ ku ne po bëjmë rindërtimin dhe do ta bëjmë shkollë model”, tha Rama.
Ndërsa në shkollën “Ismail Qemali”, për të cilën sot u prezantua projekti i rindërtimit, sipas kryeministrit Rama nuk ishte vënë dorë prej vitit 1971.
“Shkolla ‘Ismail Qemali’ ka rëndësi për historinë e gjuhës shqipe dhe arsimit shqitar. E hapur në mes të qytetit në vitin 1913, në këtë shkollë kishte zero investime që prej vitit 1971”, tha Rama.
/r.e/a.f/