E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Në 11 maj të prodhojmë një fuqi të madhe vendimmarrëse për të mbyllur negociatat me BE-në

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duhet që të gjithë të mobilizohen për të prodhuar një fuqi të madhe vendimmarrëse, për të mbaruar negociatat me Bashkimin Evropian.

Nga takimi me gratë dhe vajzat në Shkodër, kreu i qeverisë nënvizoi faktin se dera e hapur e BE-së, mund të mbyllet, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën. “Ne duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë që mos të humbasim asnjë ditë, që mos të ngatërrohemi me këmbët tona, të shkojmë me BE-në apo me “kënetën”, të mos merremi me muhabetet tona të pakuptimta, jo majtas, jo djathtas, jo parti e vjetër, e re. Por, të mobilizohemi maksimalisht që në 11 maj të prodhojmë një fuqi të madhe vendimmarrëse për të mbaruar negociatat me BE sepse të majtën dhe të djathtën, partitë dhe zgjedhjet, këtu do t’i kemi prapë, por duhet të hyjmë në BE”, tha Rama.

Rama u ndal edhe te komentet, kur thuhet që pse duhet edhe një mandat i katërt për BE-në, nuk mjaftuan tre për t’u bërë anëtarë të familjes evropiane. “Kjo është historia e Evropës dhe BE-së, sepse nëse do të ishte një histori e imja apo e PS-së, atëherë do duhet që t’i gjendej përgjigje pyetjes, po Mali i Zi që i ka hapur negociatat në 2012-ën pse nuk është në BE; po Serbia që i ka hapur që në vitin 2014 kur ne nuk ishim akoma kandidatë dhe na shihnin si delja e zezë pse nuk është në BE; po Maqedonia që ndërroi dhe emrin dhe është kandidate që në 2005 pse nuk është në BE?”, pohoi ai.

Sipas Ramës, për të qenë në BE nuk mjafton vetëm që një vend të jetë gati, por duhet edhe që të 27 vendet anëtare të familjes evropiane të duan ta hapin derën.

Kreu i ekzekutivit u ndal edhe te sondazhet që janë pasqyruar së fundmi në televizionet shqiptare, që sipas Ramës të gjitha kanë nxjerrë fituese Partinë Socialiste, njëherësh edhe faktin që shumica e popullit shqiptar mendon se vendi po shkon në drejtimin e duhur.

“Prej disa ditësh të gjitha sondazhet që kanë dalë, tregojnë që PS do të fitojë zgjedhjet. Sondazhet thonë që shumica e shqiptarëve mendojnë që vendi po shkon në drejtimin  e duhur. Bretkosat thonë, që populli është i sëmurë, është çmendur populli komplet, nuk ka asnjë mundësi i ka blerë Rama të gjithë, 900 mijë veta. Asnjëri nuk i bënte pyetje vetes që mos nuk është populli i sëmurë, por jam çmendur unë”, tha Rama.

“Teoria kanë 12 vjet në pushtet, këta kanë probleme me drejtësinë. Unë mendoj të kundërtën, pikërisht sepse gjërat kanë ndryshuar dhe njerëzit e ndjejnë ndryshimin në jetën e tyre se pagat janë rritur, ekonomia është rritur, njerëzit nuk mendojnë si moçalet mediatike. Por, unë mendoj se shumica e njerëzve dinë dhe një gjë tjetër se kjo historia e drejtësisë, këto çështjet e hapura me drejtësinë ku përfshihen dhe njerëz që kanë qenë pjesë e jona janë në fakt mishërimi në jetën reale i një përpjekjeje që është përpjekja jonë për të krijuar në këtë vend kushtet që të ketë barazi përpara ligjit”, nënvizoi Rama.

Rama tha se drejtësia nuk ka pasur një ministër, një kryetar bashkie, një person me pushtet që të shkonte përpara një prokurori apo gjykatësi të pavarur. “Ka pasur ministra të varur, pushkatuar, internuar, por me dëshirën dhe urdhrin e të parit të qeverisë”, cilësoi Rama, ndërsa theksoi se që nga viti 1912, në mbretëri, komunizëm, tranzicion ka qenë i pari i qeverisë që e ka pasur drejtësinë në dorë.

“Është e para herë në histori që drejtësinë e ka në dorë drejtësia. Kjo sepse ju dhe shumica e shqiptarëve më besuat mua kur ju thosha në 2017-ën ma jepni atë timon vetëm mos më lini të tjerë në prehër, se nuk bëjmë dot Reformën në Drejtësi, se gjithë të tjerët janë armiq të drejtësisë që i vë të gjithë para ligjit”, pohoi Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›