E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: 600 biznese aplikuan për paqe fiskale, nuk do kenë kontrolle nga inspektorët

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Në pak ditë që është shpallur nisma e Qeverisë për paqe fiskale me bizneset dhe ka hyrë në fuqi, janë 600 subjekte që kanë aplikuar dhe do të nënshkruajnë këtë marrëveshje me qeverinë.

Kështu informoi Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetar i Partisë Socialiste gjatë një takimi sot në Përmet me operatorë dhe biznese të turizmit nga Përmeti dhe Gjirokastra, ku u shpreh optimist për të ardhmen jo thjesht për Bashkimin Evropian, por edhe një instrument tjetër që do u propozohet bizneseve që është paqja fiskale.

Rama e cilësoi pozitive shifrën e 600 operatorëve, ndërsa vuri në dukje se kjo paqe fiskale e negociuar mes shtetit dhe biznesit, do të aplikohet për ato sipërmarrje që “me prapakthim në pesë vite, negociojnë të ardhurat e vitit në vijim që do të llogariten me rritjen ekonomike bazuar edhe në rritjen normale vit pas viti të biznesit”.

“Kjo do të thotë që një ndër elementët për bizneset që janë me tatimfitim, se për bizneset që janë deri në 140 mijë euro xhiro i kemi pa tatimfitim, i kemi zero, ne do të mund të negociojmë. Është një shifër që merren vesh të dyja palët dhe për këto të ardhura do të paguhet ajo taksa 15%, por ata me prapakthim mund të kthehen në pesë vite dhe të deklarojnë para më shumë, dhe për çdo para më shumë që deklarojnë mbi normën e 140 mijë do paguajnë vetëm 5% tatim”, tha Rama, teksa theksoi se falë elementëve të paqes, ajo që merret në këmbim është fakti që këto sipërmarrje nuk do të kenë më kontrolle të asnjë lloj natyre.

“Nuk kanë më të drejtë inspektorët të shkojnë, pasi ai biznes, do ketë një shenjë që është në sistemin e paqes fiskale dhe aty nuk hyn dot njeri për të bërë kontrolle”, pohoi Rama.

Kryetari i PS-së u ndal sërish te rëndësia e integrimit, të cilin e cilësoi një kapërcim historik dhe epokal për Shqipërinë. “Si mund të minimizohen dhe banalizohen këto gjëra dhe të thuhet që populli shqiptar është i sëmurë. Çfarë të kuptojë populli shqiptar të kthehet mbrapa? Shqiptarët janë të rrahur me vaj e me uthull dhe kur vjen puna për politikë nuk ua ha qeni shkopin dhe të japin ujë në bisht të lugës. Ata që dalin nëpër ato moçalet televizive nuk u ndryshojnë mendjen njerëzve as për të shkuar për nevojat e brendshme me fjalën e tyre”, vijoi Rama.

Kryeministri vuri në dukje faktin se ka informalitet në deklarimin e shtretërve. “Ne nuk duam ta rrisim presionin me inspektorë, por i kemi dhënë mundësinë e një vetëdeklarimi më përpara, të paguajnë 60% në periudhën e pikut dhe 30% për gjithë periudhën tjetër dhe në momentin që bëjnë këtë marrëveshje nuk kanë më kontrollorë”.

“Unë jam i vetëdijshëm për problemet që krijojnë inspektimet dhe këto mbarojnë. Por gjëja që është në proces, pasi ju e dini që kemi bërë fiskalizimin na ka dhënë rezultat por ka ende probleme se aty ku vihet rregulli shqiptari është i pari që e gjen hilen dhe tani ne me IA, po krijojmë modelin që të kemi një model inspektimi pa njerëz, nëpërmjet transaksioneve që janë 24 orë dhe nëpërmjet volumeve të çdo biznesi. Ky sistem pa njerëz jep informacion në kohë reale në të gjitha rastet kur konstaton se ka devijim nga normaliteti dhe kjo do të jetë gjëja që do t’i japë qetësi të dyja palëve”, deklaroi ai.

Rama bëri të ditur se e njëjta do të ndodhë edhe qarkullimin e  mjeteve që me programin që ka nisur me Qendrën e Monitorimit të Kontrollit, nuk do të ketë më policë në rrugë sepse rrugët do të jenë të monitoruara me kamera inteligjente. “Nëse je duke ecur me shpejtësi të vjen gjoba në telefon”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›