Rama: Pasaporta europiane garanton 300 milionë euro në vit për fshatin dhe agroturizmin

TIRANË, 22 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se anëtarësimi në Bashkimin Europian do i garantojë Shqipërisë 300 milionë euro në vit për të mbështetur fshatin, agropërpunimin dhe agrobiznesin.
Në një takim me operatorë dhe biznese të turizmit nga Përmeti dhe Gjirokastra, Rama u shpreh se pasaporta europiane do të rrisë mundësitë për të mbështetur agroturizmin.
“Ne i kemi rritur mundësitë dhe kemi rritur mbështetjen por tani rriten edhe kërkesat për mbështetje sepse njerëzit e shohin se funksionon. Kërkesat për të marrë mbështetje për agroturizmin janë shumë më të mëdha se sa ishin”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se janë krijuar shumë instrumente financimi, siç është rasti i linjës së financimit 250 milionë euro të Bankës së Shqipërisë për ata që duan të investojnë në fshat, në agroturizëm apo agropërpunim.
“Mund ta marrin kredinë me garancinë e shtetit, 70% kolateral e garanton qeveria me një kredi nën 3%, kredi e arsyeshme”, shtoi Rama.
Bujqësia, agropërpunimi dhe biznesi, sipas kryeministrit janë mbështetur edhe me fondet e BE-së.
“BE na ka dhënë në total në gjithë këto vite mundësi mbështetje prej më pak se 200 milionë euro. Kur ne marrim pasaportën si vend anëtari BE-së do të përfitojmë 300 milionë euro në vit për të mbështetur fshatin, agropërpunimin dhe agrobiznesin”, shtoi Rama. /j.p/