Rama: Arsimi profesional, çelësi i ekonomisë së dekadës së ardhshme dhe garanci për punësim

Kryeministri Edi Rama ka vënë theksin te rëndësia strategjike e arsimit dhe formimit profesional për zhvillimin ekonomik të vendit, gjatë podcastit të tij “Flasim”.
Duke iu referuar pjesëmarrjes në Konferencën e Tretë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, Rama tha se sfida kryesore që do të përcaktojë suksesin e ekonomisë shqiptare në dekadën e ardhshme është kapitali njerëzor i kualifikuar.
Sipas tij, Shqipëria nuk përballet më me mungesë investimesh, por me nevojën në rritje për specialistë, teknikë dhe profesionistë të aftë për të mbështetur zhvillimin e sektorëve si turizmi elitar, energjia, teknologjia, industria përpunuese, logjistika dhe shërbimet moderne.
“Edhe një shënim tjetër. Këtë javë mora pjesë në një konferencë, e treta kombëtare e arsimit dhe formimit profesional, ku u diskutua gjerësisht për sfidën që përcakton edhe një pjesë të mirë të suksesit të ekonomisë shqiptare në dekadën e ardhshme: kapitalin njerëzor. Sot Shqipëria nuk ka më për problemin e mungesës së investimeve. Përkundrazi, sot Shqipëria përballet me gjithmonë e më shumë investime dhe gjithmonë e më shumë nevojë për specialistë, teknikë, profesionistë të kualifikuar, sepse këto investime kërkojnë kapital njerëzor të kualifikuar nga turizmi i nivelit të lartë, energjia, teknologjia, industria përpunuese, logjistika apo shërbimet e tjera bashkëkohore. Kërkesa për fuqi të kualifikuar rritet me ritme shumë më të shpejta sesa oferta. Pikërisht për këtë arsye, arsimi profesional merr gjithnjë e më shumë një rol strategjik. Nëse dikush shihej si një ngushëllim për ata që ishin më të lodhurit dhe nuk arrinin dot as ta mendonin derën universitetit, sot ai është bërë një nga dy rrugët dhe është madje një rrugë me garanci të mëdha drejt punësimit dhe karrierës. Këtë e shpjegon fakti që, jo vetëm numri i nxënësve është rritur, por edhe që 67% e atyre që mbarojnë arsim profesional punësohen menjëherë. Ndërkohë që, në disa fusha, siç është, për shembull, turizmi 100%, 100% e atyre që bëjnë arsim profesional punësohen.
Dhe objektivi ynë është shumë i qartë: që të shtyjmë përpara një projekt të nisur vite më parë për ta bërë arsimin profesional anën tjetër të medaljes së arsimit në Shqipëri dhe t’ju japim mundësi të gjithë atyre që investojnë që të mbështeten në burime njerëzore të kualifikuara”, u shpreh kryeministri.
/rtsh.al/