E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen detajet për arrestimin e Moisi Habilajt, i kërkuari për trafik droge u kap në Borsh me qëllim ekstradimin drejt Italisë

Policia e Shtetit ka konfirmuar arrestimin e Moisi Habilajt gjatë një operacioni të zhvilluar ditën e djeshme (13 qershor) në zonën e Borshit, në jug të vendit. Operacioni i koduar “Metodat” u realizua nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.

Sipas autoriteteve, 48-vjeçari nga Babica e Vogël, Vlorë, ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane dhe është dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vite, 2 muaj e 13 ditë burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndaj tij ishte gjithashtu në fuqi një masë sigurie “arrest në burg” e vendosur më herët në Shqipëri për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Gjatë operacionit është arrestuar edhe një shtetas shqiptar 46-vjeçar nga Saranda, ndërsa një shtetas italian 70-vjeç është proceduar në gjendje të lirë për “përkrahje të autorit të krimit”.

Policia njofton se arrestimi u bë pas hetimeve intensive dhe përdorimit të metodave speciale për lokalizimin e të shumëkërkuarit, ndërsa po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›