Rama: Një mijë investime nga Paketa e Maleve, asnjë rikandidim nga kryebashkiakët nëse nuk arrihet targeti

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u kërkoi sot kryetarëve të bashkive, të jenë proaktivë në zhvillimin e territorit dhe të mos mbështeten vetëm tek buxheti i shtetit.
Gjatë takimit të zhvilluar në Durrës, Rama theksoi rëndësinë e Paketës së Maleve, si një instrument që synon të tërheqë investime nga shqiptarët jashtë vendit. Rama shprehu shqetësimin se disa bashki nuk kanë përfunduar ende fazën e parë të këtij projekti.
Kryeministri vuri në dukje se jo të gjitha bashkitë e kanë kryer fazën e parë dhe kjo është e papranueshme.
“Në momenti kur Paketa e Maleve u shpall në uebsajtin e vet ditën e parë kishte 700 e kusur interesim nga shqiptarët jashtë atdheut. Është një instrument i sigurt për të tërhequr kursimet e shqiptarëve dhe atyre jashtë atdheut që të vijnë dhe të bëjnë biznes të sigurt që u sjell atyre të ardhura. Si ka mundësi që nuk ka mbaruar akoma faza e parë në të gjitha bashkitë?!”, tha Rama.
Ai vuri në dukje se ambicia e qeverisë duhet të jetë 1000 investime nga Paketa e Maleve, ndërsa paralajmëroi se rikandidimi i kryebashkiakëve do të varet nga numri i investimeve në bashki.
“I kam kërkuar drejtores së Agjencisë së Planifikimit të jetë në dispozicion të së cilës bashki për asistencë teknike dhe i kam kërkuar ministrit Demo që të vendosë një target për çdo bashki. Ambicia jonë duhet të jetë 1000 investime nga kjo paketë që po t’i ndash në territor në 60 bashki sipas potencialeve nuk janë shumë. I kam kërkuar ministrit që të përcaktojë se sa investime duhet të jenë futur në proces ku secili prej jush do të pretendojë të rikandidojë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim të mundshëm nëse nuk do të jetë arritur targeti i këtij projekti”, tha Rama. /j.p/