E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Bashkitë të identifikojnë shtëpitë historike për muzealizim

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot kryetarëve të bashkive të krijojnë një plan muzealizimi të shtëpive të vjetra duke identifikuar ato që kanë potencialin për t’u kthyer në muze që të shpëtohen nga rrënimi.

Gjatë takimit me kryebashkiakët Rama tha se Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka nisur një proces shumë të bukur për të muzealizuar godinat historike.

“Konkretisht ato shtëpi që plotësojnë kriteret për t’u klasifikuar si vlerë në rrezik të trashëgimisë kulturore sepse janë të pabanuara do të kthehen në muze në qytete dhe në fshatra”, tha Rama.

“Kjo do të thotë që në çdo bashki shumicën dërrmuese se mbase nuk është rasti për qytetet që janë krijuar rishtaz, por edhe aty gjenden struktura interesante për këtë. Në çdo bashki që ka në zemër të vet një qytet të vjetër apo fshatra të vjetër, ka shtëpi me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, të cilat janë të pabanuara ose janë në rrënim e sipër. Ajo që po bëjmë me MTKS është marrja e tyre nga shteti përmes një procesi ligjor shpronësimi dhe muzealizimi të tyre. Në Tiranë kemi një sërë të tillash që kanë hyrë në këtë proces, kemi disa edhe jashtë Tiranës, kam parë listën e ministrisë”, theksoi Rama.

Duke iu drejtuar kryebashkiakëve, Rama tha se “angazhohuni, shikojini përcaktojini si kandidatura për të hyrë në këtë proces ndajini me MTKS dhe Institutin e Monumenteve për të klasifikuar vlerat e tyre dhe planifikoni se për çfarë mund të muzealizohen”.

Kryeministri Rama u shpreh se “kemi shumë gjëra mund të ekspozojmë jemi një vend që ka në zemrën e aktivitetit turizmin, jemi një vend që kemi fatin që nuk e kemi turizmin të përqendruar vetëm në një det apo një mal, por i kemi në të gjithë territorin”.

“Çdo cep i Shqipërisë ka turistë sepse në çdo cep ka gjëra interesante, por duhet të rrisim atraksionet dhe ashtu siç duhet ta muzealizojmë trashëgiminë tonë sepse duhet ta ruajmë dhe promovojmë, ashtu edhe mund të ekspozojmë të tjera gjëra, mund të kemi muzeume të vogla për produktet. Kur vijnë turistë në Shqipëri, vizitorë, ose miq një nga pyetjet që më bëjnë të gjithë është; Cila është pija karakteristike shqiptare?. Dhe ne themi rakia. Por nuk e kemi një muze të rakisë, të verës shqiptare, të vajit të ullirit që ka lloj-lloj varitetesh dhe rakitë janë të lloj-lloj varietetesh”, tha Rama.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›