E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Zvërneci nuk ndalet, investimi 4 miliardë euro është interes kombëtar

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti sot në Kuvend investimin e planifikuar në Zvërnec, duke e cilësuar atë si investimin më të madh në historinë e Shqipërisë dhe një projekt me rëndësi kombëtare për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Në fjalën e tij, Balla kundërshtoi pretendimet e opozitës se investimet e huaja kanë rënë, duke sjellë shifra krahasuese. Sipas tij, investimet e huaja direkte në vitin 2012 ishin 666 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 kanë arritur në 1,64 miliardë euro.

Deputeti socialist argumentoi se investimi prej 4 miliardë eurosh i kompanisë “Power Holding” në Zvërnec do të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe se projekti duhet të realizohet.

Duke folur për debatin mbi aeroportin e Vlorës, Balla deklaroi se ai po ndërtohet në një zonë ku ka ekzistuar historikisht gjurma e aeroportit dhe se nuk ka pasur asnjëherë debat real për vendndodhjen e tij.

Një pjesë e fjalës iu kushtua edhe zhvillimit të transportit ajror. Balla tha se numri i pasagjerëve në Aeroportin e Tiranës është rritur nga 1,64 milionë në vitin 2012, në mbi 11 milionë në vitin 2025, duke e kthyer atë në aeroportin më të frekuentuar në Ballkan, pas Athinës. Ai njoftoi gjithashtu nisjen e fluturimit të parë direkt Tiranë-Toronto dhe shprehu pritshmërinë për linja direkte edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sa i përket incidentit të dhunshëm gjatë protestës në Zvërnec, Balla e dënoi aktin, duke theksuar se autori është arrestuar dhe se licensa e kompanisë private të sigurisë është anuluar. Megjithatë, ai argumentoi se ky episod penal nuk duhet të përdoret për të delegjitimuar investimin.

Sipas tij, “Power Holding” është një kompani e verifikuar dhe e certifikuar, me burime financiare të deklaruara dhe të kontrolluara, ndërsa bashkëpunëtorët e saj gëzojnë reputacion të padiskutueshëm.

Në përfundim, Balla e cilësoi realizimin e investimit në Zvërnec si një sprovë të rëndësishme për Shqipërinë dhe pjesë të vizionit “Shqipëria 2030”, duke e lidhur atë me objektivin për ta kthyer vendin në një destinacion të nivelit të lartë turistik dhe anëtar të Bashkimit Europian. Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike që ta mbështesin projektin, duke e konsideruar atë interes kombëtar.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›