Rama: “Bufi” kërkon të shkrijë SPAK-un, në BE barazia para ligjit është e paprekshme

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me qytetarë të Skraparit.
Në fjalën e tij Rama foli për reformën në drejtësi.
“Ju e keni parë që edhe sot e gjithë ditën ajo që kemi arritur dhe ajo që po përpiqemi të bëjmë me vendosjen e barazisë para ligjit të të gjithëve nuk është diçka që duhet ta konsiderojmë një arritje të paprekshme, sepse në anën tjetër kemi forca dhe mbi të gjitha kemi “bufin e kënetës”, i cili përbetohet se me votën e shqiptarëve do ta përmbysë reformën në drejtësi, do ta shkrijë SPAK-un dhe do të rikthejë historinë aty ku ishte”, tha Rama.
Por shtoi, Rama, “ne nuk mund të lejojmë që historia të rikthehet aty ku ishte. Historia duhet të shkruhet si një histori e bashkimit përfundimtar të Shqipërisë me Evropën”.
“Dhe vetëm duke e futur Shqipërinë në BE ne mund të garantojmë për brezat se barazia para ligjit bëhet e shenjtë, e paprekshme nga askush këtu dhe askujt nuk mund t’i shkojë më mendja që të përdorë votën e qytetarëve për ta bërë përsëri Shqipërinë një vend ku ligji është i fortë me të dobëtin dhe të fortët e nënshtrojnë ligjin. Kjo është një histori që, siç e shihni, ne po përpiqemi t’i japim fund”, tha Rama.
“Ju e dëgjoni kur thonë: ç’është kjo punë kështu, çfarë kërkon ky njeri, – për mua domethënë, – çfarë kërkojnë këta, këta kanë gjysmën e qeverisë në burg? Domethënë këta kujtojnë se duke përdorur këtë lloj propagande populli do harrojë se kush e donte dhe kush nuk e donte reformën në drejtësi; kush e bëri dhe kush bëri çmos ta pengojë; kush është këtu për ta garantuar më tutje dhe kush është këtu për ta përmbysur”, tha Rama.
“Dhe këta mendojnë se ne do ulim kokën meqë pikërisht reforma që ne bëmë, pavarësia që i dhamë ne drejtësisë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë që nga 1912-a. Nuk ka pasur pavarësi drejtësia, ka pasur mbret, ka pasur diktator, ka pasur palo president “bufin e kënetës” që futi në burg Fatos Nanon, të burgosurin e fundit politik në Shqipëri, por asnjëherë nuk ka pasur mundësinë të shohë populli shqiptar një njeri të veshur me pushtet që të shkojë përpara një prokurori të pavarur dhe përpara një gjykatësi të pavarur. Këto populli shqiptar po i sheh sot, dhe po i sheh sot sepse ishte kjo forcë politike, ishte vullneti ynë për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja dhe për të vendosur që drejtësia të shikojë drejtë dhe të godasë majtas dhe djathtas”, theksoi Rama.
“Kur unë thosha atëherë që ata ishin të tërë të mbyllur në çadër edhe donin të sabotonin zgjedhjet, donin të merrnin peng Shqipërinë, se nuk donin Vetting-un, nuk donin reformën në drejtësi dhe unë thosha: ky është momenti ynë historik për të bërë një reformë dhe për të pasur një drejtësi që të godasë majtas dhe djathtas. Natyrisht, unë e dija shumë mirë që majtas ishim ne, kush ishte majtas dhe patjetër që sot do të ishte tradhti e madhe ndaj jush, tradhti e madhe ndaj popullit nëse ne nuk do të kishim arritur që drejtësia të jepte shembuj se nuk do t’ia dijë je i lidhur me pushtetin, a s’je i lidhur me pushtetin nëse ke punë me ligjin do të shkosh para ligjit”, tha Rama.
/r.e//a.f/