E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Çfarëdo që të kenë të tjerët me Presidentin e SHBA-së, nuk mund t’i përdorin shqiptarët si mish për top

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër Edi Rama deklaroi sot se reagimet ndërkombëtare që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, janë luftë politike e ideologjike që nuk i takon Shqipërisë.

Në fjalën e tij në podiumin përpara stadiumit “Air Albania” me rastin e 35-vjetorit të PS-së, Rama tha se “a ka shqiptar që mendon me mendjen e vet dhe që nuk e ka kuptuar akoma se gjithë kjo zhurmë në gjuhë të huaja në mbështetje të protestës është projektimi i një lufte politike që nuk është lufta jonë, i një lufte ideologjike që nuk është lufta e Shqipërisë, i një përplasjeje mes të mëdhenjsh që nuk është fare puna jonë”.

“Nëse do të ishte bota kaq e ndjeshme dhe deri senatorët e mirënjohur amerikanë do t’i kishin në zemër zogjtë dhe plazhet e Shqipërisë, do të kishin thënë ndonjë fjalë për Rrjollin. Këtu fjala nuk është për Zvërnecin, këtu fjala nuk është për flamingot, nuk është për turizmin, nuk është për mjedisin; këtu fjala është për Presidentin e SHBA-ve”, tha ai.

“Çfarëdo që të kenë të tjerët me Presidentin e SHBA-së, nuk mund ta importojnë në Shqipëri dhe nuk mund t’i përdorin shqiptarët si mish për top. Nuk mund t’i përdorin shqiptarët që t’i dalin kundër vetes, të ardhmes së tyre, t’u dalin kundër rrugëve të rritjes së mirëqenies”, vijoi Rama.

Rama u ndal te deklaratat e protestuesve gjatë këtyre ditëve, që shprehen se nuk duan turizëm elitar, sepse ky është një lloj turizmi që kërkon shumë lekë.

“E kundërta është e vërtetë. Ne na duhet sa më shumë turizëm elitar, sepse çdo lek që vjen është gati dyfishi, për çdo euro që vjen, janë dy euro që futen në ekonominë e vendit. Sepse ata që vijnë në këto zhvillime vijnë me shumë para dhe sjellin pak trafik, pak mbetje, pak stres të përgjithshëm. Turizmi i masës ka qenë i shkëlqyer, sepse ka qenë ambasador i një Shqipërie për të cilën sot flitet në të gjitha gjuhët e botës”, tha ai.

Kryeministri Rama shtoi se “Shqipëria nuk mund të mbetet me turizmin e masës. Nuk mund të mbetet mbrapa as Greqisë, e jo më Malit të Zi dhe të tjerëve. Shqipëria nuk është e thirrur të shpikë rrotën, por është e thirrur vetëm të hapë portën”.

/e.i/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›