Zvërneci, Rama: Përpjekje për të futur ndasi dhe urrejtje përmes lidhjes së projektit me çështje pa lidhje me investimin

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste deklaroi sot, në takimin e mbajtur në sheshin “Italia” në Tiranë, në 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, se investimi i planifikuar në Zvërnec nuk ka asnjë lidhje me Izraelin, duke hedhur poshtë pretendimet për përfshirje të këtij shteti dhe duke i cilësuar ato si të pavërteta që, sipas tij, po përdoren për të krijuar ndasi dhe tensione në opinionin publik.
“Shqipëria është vendi që ka disa bekime që i detyrohen të parëve tanë. I detyrohet të parëve tanë bekimi i mikpritjes, besës, shtëpisë së shqiptarit që është e Zotit dhe e mikut. I detyrohet gjyshërve tanë bekimi i një vendi kaq të vogël, mbase shumë herë më i varfër se vendi më i varfër i Europës në Luftën e Dytë Botërore, i cili u bë fari që shkëlqeu në atë errësirë ku vende shumë më të mëdha, shumë më të pasura, i dorëzuan hebrenjtë. Gjyshërit tanë nuk e bënë këtë”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi rolin që shqiptarët luajtën gjatë Luftës së Dytë Botërore në mbrojtjen e hebrenjve dhe tha se kjo trashëgimi historike është pjesë e identitetit të vendit.
“Historia e shqiptarëve është historia e njerëzve që përtej feve kanë Zot respektin për mikun, për atë që është në nevojë, atë që është në rrezik. Ishin myslimanët në radhë të parë që u bënë mburoja e hebrenjve dhe kjo është edhe arsyeja sot që Shqipëria do ta mbajë me shumë krenari atë lidhje që vjen nga historia dhe atë bekim të të qenurit vendi ku, pavarësisht etnive, pavarësisht feve, gjithkush ndihet në shtëpinë e vet, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, u shpreh ai.
Rama tha se Shqipëria ka ndërtuar marrëdhënie të mira me shumë vende, përfshirë Izraelin dhe ata që janë përballë tij.
“Sot ne kemi arritur të jemi miq të shkëlqyer edhe me Izraelin, edhe me ata që janë përballë Izraelit, me vendet e Gjirit, me Arabinë Saudite, me Katarin, edhe me Turqinë. Ndërkohë që Emiratet janë më pranë Izraelit”, deklaroi Kryeministri.
Duke iu referuar debateve të ditëve të fundit lidhur me investimin në Zvërnec, Rama ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si përpjekje për të futur ndasi dhe urrejtje përmes lidhjes së projektit me çështje që, sipas tij, nuk kanë asnjë lidhje me investimin.
“Tani çfarë do të bëjmë ne? Cili është djalli që po tenton të hyjë në mes nesh, që po provon që t’u lërë fëmijëve tanë në kurriz diçka nga e cila ne duhet t’i mbrojmë? Cili është djalli që po shfrytëzon një investim për një zhvillim turistik për të shpërndarë një djallëzi të madhe, sa të gënjeshtërt aq edhe çuditërisht të thithur nga ata që duan të gjejnë rrugë për urrejtjen?”, tha ai.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet që lidhin projektin e investimit në Zvërnec me shtetin e Izraelit.
“Çfarë lidhjeje ka Izraeli me investimin në Zvërnec? Çfarë lidhjeje ka marrëdhënia me shtetin e Izraelit me një investim ku dy investitorët kryesorë janë dy myslimanë, dy vëllezër, bashkëpronarë të një prej kompanive më të mëdha të Lindjes së Mesme nga Katari, që nuk ka asnjë marrëdhënie me Izraelin? Apo se dhëndri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është hebre? Po pastaj?”, u shpreh Rama.
Në vijim, ai bëri thirrje për maturi dhe mençuri në qasjen ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
“Kaq budallenj mund të bëhemi ne sa t’i bëjmë karshillëk dynjasë, ndërkohë që jemi shumë të vegjël për të bërë karshillëqe të tilla dhe duhet të jemi mjaft të mençuar që të na duan të gjithë dhe me të gjithë ata që duhet t’i kemi marrëdhëniet vëllazërore, miqësore e strategjike”, u shpreh kryeministri Rama.