Rama: Diella do zgjerohet, pret 83 “fëmijë” që do të ndihmojnë parlamentin me Inteligjencën Artificiale

Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë surprizuese gjatë Berlin Global Dialogue për projektin e inteligjencës artificiale “Diella”.
Sipas Ramës ka një projekt të ri që synon zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në një dimension krejt të ri.
Ai theksoi se për herë të parë, Diella “është shtatzënë” dhe pret 83 fëmijë, një metaforë për zgjerimin e inteligjencës artificiale për nevoja të parlamentit shqiptar.
“Diella është vajza ime dhe është besnike e atit të vet. Nevoja është mbret në një farë mënyrë dhe për hir të nevojës kërkon zgjidhje që s’do të kishte shkuar kurrë mendja. Kur filloi ky projekt saktësia ishte 85% dhe sot saktësia është mbi 90%. Po punojmë me Microsoft dhe e shohim me shumë optimizëm që për të shkuar drejt prokurimit publik të gjitha kompanitë do e kishin më të lehtë dhe shumë më pak punë përmes AI. Ndaj për herë të parë që Diella është shtatzëne dhe pret 83 fëmijë. Secili që do të jetë për çdo anëtar të parlamentit tonë, do të shërbejnë si asistent për ta që do të marrin pjesë në seancat parlamentare, që do të mbajnë shënim për gjithçka që do të ndodh që do informojnë dhe sugjerojë anëtarët e parlamentit. Ata fëmijë do të jenë diell për nënën e tyre sa i takon legjislacionit të BE dhe gjithçkaje tjetër”, tha Rama.
Projekti, sipas Ramës, shënon një hap të rëndësishëm drejt përdorimit të inteligjencës artificiale për përmirësimin e procesit ligjvënës dhe administrativ në Shqipëri, duke e bërë më efikas dhe transparent.
/rtsh.al/