E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, kujtesë e fortë për vëmendje të përditshme

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Çdo 1 tetor festohet Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve për të nderuar dhe vlerësuar kontributin e tyre në shoqëri.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se kjo ditë është një kujtesë e fortë se përkujdesi, vëmendja dhe dashuria ndaj të moshuarve duhet të jenë në 1 tetor, por jo vetëm.

Kryeministri bëri të ditur se në institucionet rezidenciale dhe ato ditore marrin shërbime të dedikuara rreth 450 të moshuar.

“450 të moshuar marrin shërbime të dedikuara për ta, që nga kujdesi shëndetësor, mbështetja psikologjike, aktivitetet sociale, deri tek shërbimet e përditshme që i ndihmojnë të jetojnë me dinjitet dhe të moshohen në mënyrë aktive”, u shpreh Rama.

Ndërkohë që nëpërmjet Fondit Social, Kryeministri theksoi se “marrin shërbim 11.700 të moshuar, me 25 shërbime në të gjithë vendin, duke i ndihmuar të qëndrojnë aktivë dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre”.

Më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përcaktoi 1 tetorin si ditën e respektit global për të moshuarit.

Plakja e popullsisë dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor për personat e kësaj moshe mbeten ndër sfidat kryesore të shoqërisë sot kudo në botë.

Ndërkohë politikat e qeverisë janë të orientuara jo vetëm ndaj kujdesit social, por edhe drejt përfshirjes aktive të të moshuarve në jetën komunitare.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›