Rama: Do të japim buxhet për ta shtrirë shahun në sa më shumë shkolla - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm sot në ambientet e reja të Shtëpisë së Shahut, ku përcolli edhe mbështetjen për zhvillimin e kësaj disipline sportive në shkollat e vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se shahu do të ketë një buxhet të dedikuar, me synimin për ta shtrirë në sa më shumë shkolla dhe për të nxitur përfshirjen e fëmijëve në këtë sport.
Kreu i qeverisë vuri në dukje rëndësinë e shahut në zhvillimin e aftësive mendore të fëmijëve, veçanërisht në kushtet e përdorimit gjithnjë e më të madh të celularëve dhe rrjeteve sociale.
“Shahu në shkolla, shahu për fëmijët është sot më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër, për faktin se është një ushtrim shumë i shëndetshëm i mendjes, në kushtet kur mendja e fëmijëve tanë është e kërcënuar nga një furi e tërë të dhënash që hyjnë përmes celularëve, përmes rrjeteve sociale, përmes një bote të re, që për fëmijët ka shumë më tepër rreziqe dhe shumë më tepër dëme sesa ka të mira”, u shpreh Rama.
“Ne e kemi nisur procesin për të zgjeruar lëvizjen sportive në shkolla duke futur disiplina të reja. Shahu është futur, mos gaboj, që vjet, por do t’i japim një vëmendje të veçantë, do t’i japim një buxhet të veçantë për ta shtrirë në sa më shumë shkolla”, shtoi ai.
Edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka vlerësuar vijimësinë e traditës së shahut përmes brezave të rinj, duke theksuar rëndësinë e krijimit të ekipeve sportive në shkolla.
“Më vjen mirë që është vazhdimi i brezave me gjithë ato trajnerë që dikur kanë qenë mjeshtra të mëdhenj. Është kënaqësi për ne që këtë traditë që shahu e ka pasur ndër vite, ta vazhdojmë me ekipet sportive në shkolla”, tha Ylli.
/m.q/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
