Rama: Do të prodhojmë dronë inteligjentë dhe makina ushtarake për vete dhe eksport

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi sot se Shqipëria është duke punuar për të prodhuar dronë inteligjentë dhe makina ushtarake.
Rama mblodhi këtë të premte grupin parlamentar socialist në Tiranë, ku theksoi se shteti shqiptar do të jetë pjesë aktive në prodhimin e makinave ushtarake dhe dronëve inteligjentë për Forcat e Armatosura.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me kompaninë KAYO, Rama sqaroi se ajo nuk është kompani private, por është në pronësi të shtetit shqiptar dhe do të përdoret për të prodhuar makinat ushtarake.
“Ju dëgjoni akuza se KAYO është ngritur për të kanalizuar paratë e drogës ose për kontrabandë armësh. Kjo është akuza. E vërteta është se KAYO është shteti shqiptar”, tha Rama.
“Rritja e buxhetit të NATO-s për të gjitha vendet bëri që qysh në momentin e lancimit, që Kryeministria të bëhet si një supermarket, ku hynin e dilnin shitës, që donin të më takonin mua, për të më thënë kemi motorë, makina, aeroplanë, helikopterë, pushkë, raketa… etj. Prit, ne nuk jemi budallenj këtu që paratë e buxhetit t’i përdorim vetëm për të blerë, ndërkohë që me ato para ne sigurisht do të blejmë çfarë nuk prodhojmë dot, por ne makinat e ushtrisë do t’i prodhojmë vetë.”
Ai shtoi se produktet e kompanisë do të shërbejnë jo vetëm për nevojat e ushtrisë shqiptare, por edhe për eksport, duke përfshirë mirëmbajtjen e dronëve dhe makinave të prodhuara për vende të tjera.
Rama përmendi edhe shembullin e ushtrisë suedeze, e cila porosit uniforma në Shqipëri.
“Të gjitha do të prodhohen në Shqipëri, nga shqiptarët në këtë rast. Dhe natyrisht, kjo kompani do të prodhojë edhe për vendet e tjera. Do të shërbejë dhe si bazë prodhuese edhe për fabrikat që janë në pikë të hallit, sepse “Versaçja” nuk i çon porosi sa duhet. Kjo po ndodh sot, nuk është se do të ndodhi në të ardhmen”, shtoi Rama
Ai tha se po punohet për prodhimin e dronit inteligjent.
“Po mirë, jemi budallenj ne që për çdo lloj droni të shkojmë t’ia blejmë të tjerëve?! Përse nuk i prodhojmë ne dronët inteligjentë në Shqipëri? Ne kemi nisur punën të prodhojmë dronin inteligjent në Shqipëri, sërish me shtetin brenda. Çfarë është kjo, përralla që u tregojmë shqiptarëve çdo ditë se ne po ngremë nga katër anët fantazma për të marrë lekë?!”
Kryeministri theksoi se Shqipëria po shkon drejt mbylljes së të gjitha hapësirave për abuzime me tenderat.
“Nëse do ishim një forcë që punon për të marrë lekë, ne nuk do të ngrinim një sistem të tërë prokurimesh, që po shkon drejt mbylljes së të gjitha hapësirave të abuzimit të prokurorimit. Nuk do të ishim sot që flasim, vendi i parë në klasifikimin e vendeve kandidate për në BE, për integritetin e prokurimeve publike. Kjo është histori që vazhdon. Do të kemi industri ushtarake që do të prodhojë në vend gjithçka që mund të prodhohet në vend dhe nuk do të vjeli buxhetin e shtetit”, tha Rama.
/a.f/r.e/