Rama: Mjedisi i informimit është i kontaminuar, duhet këmbëngulje për të treguar punën që bëjmë

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, se mjedisi i informimit në vend është i infektuar dhe se ekziston një mungesë e theksuar interesi nga mediet për të pasqyruar punën e qeverisë dhe të mazhorancës.
Duke iu referuar situatave të përmbytjeve dhe emergjencave të fundit, Rama u shpreh se në momente dramatike, një pjesë e medieve dhe analistëve kanë përdorur fatkeqësitë natyrore për të shpërndarë akuza dhe shpifje, duke deformuar realitetin.
Sipas tij, edhe kur përballen me fakte apo kapen në pasaktësi, refuzojnë të kërkojnë ndjesë ose të korrigjojnë qëndrimet, duke devijuar debatin drejt çështjeve të tjera pa lidhje me thelbin.
Kryeministri theksoi se nuk ka interes real për t’i treguar publikut se çfarë po bëjnë qeveria dhe institucionet.
“Duhet të përdorim çdo hapësirë. Nuk ka interes për t’i thënë publikut se çfarë po bëjmë ne. Nuk ka interes për asnjë nga punët që po bëjmë ne për t’ia transmetuar publikut dhe ato që bëjmë ne nëpër rrjetet sociale janë nga halli i madh, që ndryshe ku do t’i marrin vesh, të paktën njerëzit tanë, ata që na ndjekin dhe na votojnë dhe na besojnë duhet të marrin vesh se me çfarë merremi ne, se nëse edhe ne nuk i bëjmë ato në rrjetet sociale njerëzit tanë do mendojmë se vetmja gjë që ne bëjmë është ajo tregojnë ata”, u shpreh Rama.
Në këtë kuadër, Rama bëri thirrje për një riangazhim të plotë të të gjithë grupit parlamentar, deputetëve, ministrave dhe zëvendësministrave, për të shfrytëzuar çdo hapësirë parlamentare dhe publike, për të komunikuar punën e bërë dhe për të treguar “Shqipërinë tjetër”.
“Na duhet shumë këmbëngulje dhe këtu duhet një riangazhim i plotë i të gjithë grupit parlamentar, i të gjithë deputetëve, i të gjithë ministrave, ish-ministrave për të shfrytëzuar hapësirën e parlamentit, për të shfrytëzuar hapësirat e tjera kudo dhe kurdo që është e mundur dhe për të treguar çfarë po bëjmë ne për Shqipërinë tjetër. Kjo është një “Shqipëri tjetër”, nuk diskutohet”, tha Rama.
Rama tha se arsyet pse opozita nuk gjen mbështetje janë të lidhura me vlerësimin që publiku i bën punës konkrete.
“Arsyeja pse ata nuk i voton askush dhe arsyeja pse po të shikoni anketimet tona të brendshme, që asnjëherë nuk na kanë lënë në baltë, edhe sot kur ne nuk jemi në pikën tonë më të lartë, siç ishim menjëherë pas zgjedhjeve, ata janë daha e daha, e daha më keq seç ishin pas zgjedhjeve, ku sigurisht ata fituan, po në fakt humbën, sepse publiku vlerëson çfarë ne bëjmë gjithsesi”, tha Rama.
/gj.m/r.e/