Rama: Gati nënstacioni i ri elektrik në Fier, investim modern që rrit sigurinë e rrjetit

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Nënstacioni i ri elektrik në Fier është gati. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky investim me parametra modernë.
“Një investim me parametra modernë, i cili do të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji elektrike për të gjithë zonën, duke rritur edhe sigurinë e rrjetit”, shkroi kreu i qeverisë në rrjetet sociale.
Nënstacioni elektrik në Fier është një projekt strategjik me rëndësi që parashikohet të lidhet së shpejti me rrjetin në Fier, me Rrashbullin dhe më tej përmes një linje nënujore drejt Italisë, duke kontribuar në forcimin e rrjetit dhe diversifikimin e burimeve të energjisë së pastër.
Investimi i realizuar nga OSHEE ka përfshirë ndërtimin dhe pajisjen e nënstacionit në një nivel të ri të qëndrueshmërisë së rrjetit.
Rezultati i këtij investimi është dyfishim i kapaciteteve dhe eliminim i problemit historik të përmbytjeve në zonë, falë mbështetjes teknologjike moderne.
MIE për zhvillimin afatgjatë të sektorit energjik në vendin tonë ka dizenjuar një sërë investimesh të tjera.
Aktualisht po punohet edhe në nënstacionin e Divjakës, ndërkohë që janë planifikuar ndërhyrje edhe në njësi të tjera për të përmirësuar furnizimin dhe sigurinë energjetike në të gjithë rajonin.
/gj.m//a.f/