Rama: Gjimnazi “Sali Nivica” në Memaliaj, kushte moderne për nxënësit dhe komunitetin

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Nxënësit e shkollës e gjimnazit “Sali Nivica” në Memaliaj do të kenë kushte më të mira në vitet e shkollimit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen për rikonstruksionin e shkollës, të cilat janë drejt përfundimit.
“Gjimnazi “Sali Nivica” në Memaliaj po rilind me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ky investim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Bashkia Memaliaj garanton kushte moderne jo vetëm për nxënësit por për gjithë komunitetin”.
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë gjatë këtij viti investimet për transformimin e infrastrukturës arsimore.
Me buxhetin e 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000 – 25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.
Në vitin 2024 u rehabilituan apo nisën procesin e rehabilitimit më shumë se 100 shkolla dhe u vendosën 216 laboratorë smart.
1 nga 9/k.s/j.p/