Tomini: Gjashtë raste të konfirmuara me COVID, nuk kanë lidhje me nënvariantin e ri në SHBA

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini tha sot në një intervistë televizive se gjatë javëve të fundit janë konfirmuar gjashtë raste me COVID-19.
Tomini tha se nuk ka elementë që kanë të bëjnë me nënvariantin e ri të raportuar në SHBA.
Njëherësh, drejtuesja e ISHP-së u bëri apel qytetarëve që të tregojnë kujdes me higjienën, sidomos gjatë kësaj periudhe të nxehtë.
“Është variant, i cili po monitorohet dhe vlerësohet me interes nga strukturat ndërkombëtare. Çdo nënvariant i ri monitorohet. ISHP vijon monitorimin e gripit dhe COVID-19 në mënyrë paralele. Vetëm javët e fundit kemi pasur 6 raste COVID-19 të konfirmuar, dhe asnjë element mbi karakteristikat të një nënvarianti të ri”, vuri në dukje Tomini.
“Ne jemi në koordinim me strukturat ndërkombëtare, situata është e qetë nga vlerësimi epidemiologjik por në sezonin e verës, masat e kontrollit respirator dhe higjienik duhet të jenë të shtuara”, tha ajo.
Tomini shtoi se edhe pse nuk jemi në sezon gripi, COVID-19 ka treguar se është i pranishëm gjatë gjithë vitit.
“Duhet pasur kujdes nga etika te shenjat respiratore, rrufa, dhimbja e kokës, temperatura, që janë karakteristikë për çdo virozë, por COVID-19 si çdo sëmundje tjetër infektive, duhet të ketë bazë higjienën dhe etiketën respiratore për të mos pasur infektim tek të tjerë”, pohoi Tomini.
Tomini shtoi se alergjitë e stinës apo infeksionet respiratore janë prezente, por numri është i ulët krahasuar me pikun. Infeksionet, tha Tomini, janë kryesisht pulmonare për shkak të ndryshimit të temperaturave.
“Nuk kemi viroza të tjera s’kemi konfirmuar grip në survejancën të sindromit të ngjashëm me gripin. Vetëm gjashtë raste nga buletini i fundit i ISHP janë me COVID. Alergjitë e stinës apo elementë të tjerë të infeksioneve pulmonare që vijnë si pasojë e ndryshimit të temperaturave. Infeksionet respiratore janë të pranishëm, por në numër më të ulët sesa në periudhën kur është piku, janar-shkurt”, tha Tomini.
/e.i/j.p/r.e/