Rama: Investimet në Durrës, ansambël që do ta bëjnë një portë dinjitoze të Shqipërisë në Mesdhe

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, bëri të ditur sot se kantieret e hapura si dhe projektet që presin të nisin do të krijojnë një ansambël që do ta bëjë Durrësin një portë dinjitoze të Shqipërisë në Mesdhe.
Gjatë takimit sot me vajza dhe gra në Durrës, Rama tha se vetëm Partia Socialiste mund të arrinte të përballonte goditjet e njëpasnjëshme, si tërmeti dhe pandemia e COVID-19.
“Harrojeni se njerëzit do të kishin marrë shtëpi të reja, nëse ata do të ishin në pushtet. Ata kanë dhënë prova për këtë. Nëse ne nuk do të ishim në qeverisje, në kohën kur ata lanë vendin pa asnjë pavijon spitali që të meritonte të quhej i tillë, imagjinoje çfarë do të bëhej me COVID-19”, u shpreh Rama.
Rama tha se pavarësisht goditjes së madhe në sistemin e furnizimit me energji në Europë, Shqipëria jo sërish nuk rriti çmimin e energjisë për qytetarët, por tejkaloi krizën dhe uli me 10,5% çmimin.
“Për një periudhë, kur u godit shumë rëndë i gjithë sistemi i furnizimit me energji, ne bëmë atë që jo vetëm nuk e rritëm çmimin e energjisë, por kapërcyem krizën dhe jemi i vetmi vend në rajon që kemi ulur çmimin e energjisë me 10,5%”, theksoi ai.
Ai premtoi mbështetje dhe investime për Durrësin, teksa kujtoi se shifrat tregojnë se e ka mbajtur premtimin e dhënë në vitin 2021 për zhvillim të qytetit.
Më tej, Rama tha se në bashkëpunim edhe me Agjencinë Franceze të Investimeve do të investohet për të realizuar objektivin për furnizim 24 orë me ujë të të gjithë qarkut.
“Durrësi ka pasur gjithmonë problem ujin e pijshëm. Nuk ka pasur kurrë ujë 24 orë, dhe sot ne jemi në bashkinë e Durrësit në nivelin më të mirë të furnizimit me ujë. Kemi zona me 24 orë ujë dhe me investimin përfundimtar, me Agjencinë Franceze për Zhvillim, përmbyllim edhe këtë problematikë dhe Durrësi nuk do të ketë më problem”, tha ai.
/a.f/r.e/