Berisha: Në 3 muajt e parë do të përgjysmojmë taksat për bizneset e mëdha

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në ambientet e fabrikës së ujit “Lajthiza” në Pukë.
Gjatë takimit Berisha prezantoi edhe programin për biznesin të PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Berisha tha se në tre muajt e parë do të përgjysmojnë taksat për bizneset e mëdha dhe se do të ketë lehtësira për biznesin e vogël.
“5.5 milionë euro taksa do të përgjysmohen. Këtë të garantoj, ndër aktet më të para. Ne kemi një parim, paratë në llogaritë e biznesmenëve janë më të vlefshme se në llogaritë e qeverisë. Ne do të përgjysmojmë taksat në tre muaj e parë për biznesin e madh, lehtësira të mëdha për biznesin e vogël. Do të ketë një hapësirë shumë të madhe për iniciativën e lirë dhe lirinë e ekonomike”, tha Berisha.
“Në 11 maj në kuti të votimit, aty të firmosim, sepse do të firmosim një ndryshim të madh”, tha Berisha më tej.
Kryetari i PD-së shtoi se “përgjysmimi i taksave për sipërmarrësin do të thotë të paktën 13% rritje të pagave, ata që paguajnë tatim fitimi”.
“Do të thotë një sasi më e madhe fondi për sipërmarrësin për të rritur rrogat dhe për të përmirësuar kushtet e punës, të cilat, thashë edhe një herë, ky është një sukses madhështor, të themi të vërtetën”, tha Berisha.
/a.f/r.e/