Rama: Më 11 maj në lojë fati evropian i kombit tonë, marrim fitoren e 10-të

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza të qarkut të Durrësit. Gjatë fjalës së tij Rama u ndal edhe te procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian, ndërsa u bëri thirrje demokratëve që të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
“U them gjithë prindërve demokratë: atë votë nuk e keni tuajën ju, por e keni dhe të fëmijëve dhe nëse zgjidhni “kënetën” për fëmijët tuaj, unë nuk di më se çfarë emri meritoni, sepse duke investuar për Shqipërinë Europiane, duke i dhënë fëmijëve pasaportën, minimumi i minimumit student në Europë, fëmija nuk do të detyrojë ty të paguash 10 herë më shumë sesa një student atje, por fëmija atje është njësoj si ata”, tha Rama.
Duke iu drejtuar shqiptarëve jashtë vendit, Rama tha se dhe atyre iu duhet Shqipëria në Bashkimin Europian.
“Ju keni shumë njerëz dhe ne kemi plot, që janë regjistruar në Durrës nga Italia nga emigracioni për të votuar. Tani, a mund të diskutojnë ata: me ne apo “kënetën”?! Kush ua ngriti kokën atyre në Itali që deri dje trembeshin kur duhej të thoshin: jam shqiptar? Kush? I bëra ata që kur flitet për Shqipërinë në Itali – dhe flitet vetëm mirë – është kthyer bota përmbys, më shumë duan italianët të vijnë këtu të bëjnë turizëm se të shkojnë shqiptarët në Itali për turizëm, 1 milion italianë vjet, dhe kishin merakun e pensioneve. Edhe pensionet ua zgjidhëm ne. Pse u duhet atyre Shqipëria? Të jesh në BE si emigrant, si punëtor me dokumente me leje pune, nuk është thjeshtë me një pasaportë evropiane të Shqipërisë. Kur je me një pasaportë evropiane të Shqipërisë je njësoj si italiani në çdo gjë. Po ata motra dhe vëllezër që kemi në Greqi? U ra goja: dokumente, dokumente, pension. Në momentin kur marrim pasaportën evropiane ata mund të rrinë në Greqi në breza dhe i kanë të tërë njësoj si grekët. Të gjithë atyre që janë jashtë që Shqipëria iu duhet më e fortë, iu duhet Shqipëria në BE”, tha Rama.
Rama nënvizoi se “në momentin që Shqipëria hyn në BE ne menjëherë kemi një buxhet ekstra”. Rama shtoi se nuk mund të vëmë në diskutim se çfarë do të bëjë Durrësi më 11 maj, a duhet të votojë për Shqipërinë 2030 në BE, apo do të shkojë mbas “Shqipërisë të mustaqeve Madhështore të Kujtim Gjuzit”.
“BE është një familje një shtëpi e pasur dhe kush është brenda funksionin me rregulla bashkëjetese që kanë në themelin e tyre dy kategori: vende kontribuese, siç janë Franca, Gjermania, dhe vendet përfituese, siç do të jemi ne kur të hyjmë në fillim. Kontribuesit janë më të fortët, më të pasurit që ndihmojnë të vegjlit që të rriten. Nëse ne deri më sot ndër vite kemi marrë nga BE mbështetje 1 miliard euro, si anëtar të BE-së çdo vit marrim 1 miliard euro. Janë një buxhet tjetër komplet dhe me atë buxhet ne kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër, edhe investime, por edhe lëvizje të fondeve, për të bërë më në fund dhe atë që kemi një detyrim të madh, rritjen e pensioneve. Shikoni çfarë marrim nga BE: kështu siç jemi sot 90% është borxh me interesa të ulëta, kur je anëtar i BE-së 90% është para që vjen për ty nga arka e përbashkët. Si mund t’i diskutojmë ne këto dhe të vëmë në diskutim çfarë do bëjmë në Durrës a do të votojmë për Shqipërinë 2030 në BE, apo do shkojmë mbas asaj të Shqipërisë të mustaqeve Madhështore të Kujtim Gjuzit?! Si do të bëjmë ne këtë?”, u shpreh Rama.
Rama i krahasoi zgjedhjet e 11 majit me zgjedhjet e marsit të vitit 1992, të cilat ishin historike për vendin. Kreu i qeverisë tha se e njëjta gjë është dhe më 11 maj, pasi në lojë është fati evropian i kombit tonë.
“Këtu në Durrës ne kemi një skuadër deputetësh ku 50% janë gra dhe vajza. Do t’ju lutesha shumë, se 3 javë ikin shumë shpejt, por ama në këto 3 javë ne mund të bëjmë diçka që nuk do ta harrojmë kurrë. Këto zgjedhje do t’i mbajmë mend siç mbahen mend zgjedhjet e Marsit të ’92-shit. Në mars të ’92-shit shqiptarët masivisht votuan PD-në, sepse ishin zgjedhje për të ndarë historinë, për ta mbyllur një kapitull të gjatë me një sistem që ishte rrëzuar, dhe shqiptarët i vunë kapakun, dhe për të hapur një kapitull të ri. Ajo ishte koha dhe ai ishte vendi dhe PD ishte e vetmja mundësi. Me historinë shqiptarët e kishin mbyllur hesapin. E njëjta gjë është më 11 maj, koha e duhur, vendi i duhur, vetëm ne. Kush thotë se mund të shkojmë në BE dhe me të tjerët nuk kupton fare dhe as nuk e ka haberin sesi funksionon BE-ja dhe çfarë është në lojë, në lojë është fati evropian i kombit tonë. Kjo është mënyra sesi ne na erdhi fati në dorë, si shqiptarë jo si socialistë, ne gjendemi këtu. Mund të kalojë një jetë njeriu, mund të shkojë 30 herë në votim dhe nuk i qëllon të jetë pjesëmarrës në një palë zgjedhje që lidhen me historinë e vendit. Ne na qëlloi 11 maji, duhet ta bëjmë, duhet ta bëjmë realitet dhe demokratëve – se këtu në Durrës keni demokratë plot – u them se kjo është një mënyrë dhe për të shëruar atë palo parti, se as parti nuk është më, duke tharë atë kënetë dhe duke lënë të rilindë diçka aty. Jo se më ha meraku çfarë do ndodhë me ata, por logjika e do kështu”, tha Rama.
Rama u shpreh i bindur se më 11 maj PS do të marrë fitoren e 10-të, ndërsa opozita do të marrë rezultatin më të keq mbas atij të ’97-s.
“Demokratët nuk kanë për të ardhur në pushtet edhe për ca kohë, po të mos shkojnë keq e më keq. Ne do të marrim fitoren e 10-të dhe do të jetë një fitore me notën 10 për ne dhe ata do të marrin rezultatin më të keq mbas atij të ’97-s. Këtu do të jemi, sepse atë meritojnë, atë do të marrin, por nuk është puna se ç’do të marrin ata, por sa ne në 11 maj do jemi në gjendje që të shkojmë përtej kufirit të partive dhe sa ju, do të arrini me fqinje e me shoqe e me kushërira, që t’i tërhiqni dhe t’i bindni dhe sa do të jini në gjendje të tërhiqni shoqe mike demokrate”, tha Rama.
Duke iu drejtuar grave për burrat Rama tha: “Shpëtojini, mos i lini të shkojnë në kënetë, merrini me vete drejt BE-së”.
/r.e/a.f/