E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Kandidatja e PS-së në Delvinë nga komuniteti rom, nëse nuk hyn në Kuvend do jetë pjesë e qeverisë

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetar i PS-së, Edi Rama deklaroi sot se forca politike që ai drejton në mandatin e katërt qeverisës do të vijojë me politika të reja mbështetëse për gruan dhe vajzën shqiptare.

Në takimin me gratë dhe vajzat në Korçë, Rama tha se kandidatja e PS-së në Delvinë që vjen nga komuniteti rom, do të jetë një zë i nevojshëm në Parlamentin shqiptar.

Kryeministri theksoi se duhet mbështetur më tepër komuniteti rom dhe ai egjiptian teksa premtoi se nëse kandidatja e komunitetit rom në Delvinë, nuk arrin të futet në Parlament, do të jetë pjesë e qeverisë.

“Duhet të bëjmë më shumë për nënat rome, egjiptjane dhe fëmijët e tyre. Sot ndajmë rreth 3500 bursa për fëmijët nga familje me ndihmë ekonomike dhe shumë prej tyre vijnë nga familje egjiptjane e rome. Jam krenar që PS, për herë të parë bëhet promotore e një kandidature nga komuniteti rom, një vajzë nga Delvina e cila përfaqëson gratë e vajzat e margjinalizuara, e cila mund të jetë një zë shumë i nevojshëm në Parlament. Dhe nëse nuk do mund të bëhet pjesë e Parlamentit, patjetër do të jetë një zë në qeverisjen tonë të mandatit të ardhdshëm”, shtoi Rama.

Rama foli dhe për programet për fëmijët në shkolla që do të jenë një lehtësi për nënat, por që rrisin edhe sigurinë për fëmijët.

“Nis shumë shpejt investimi me qeverinë e Emirateve të Bashkuara për vendosjen e kamerave inteligjente në çdo klasë, në mënyrë që çdo nënë që të mund të shikojë sjelljen e fëmjës së sa edhe brenda në klasë“, u shpreh Rama.

Më tej, ai foli dhe për programin “drekë dhe detyra në shkolla”.

Sipas tij, ky program fillimisht do të shtrihet në qytetet kryesore të disa qarqeve. ”Nënat çlirohen nga barra e të shkuarit të marrin fëmijën nga shkolla”, tha ai.

Rama po ashtu bëri të ditur se rreth 12 mijë fëmijë janë angazhuar në lëvizjen sportive nga shkolla. “Ka ardhur koha ta shtrijmë më tutje edhe me disiplina të tjera”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›