Rama: Bonusi i bebes mujor, dyfishojmë mbështetjen financiare për nënat e fëmijëve me aftësi speciale

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh gjatë takimit elektoral të pasdites së sotme me gratë e vajzat e qarkut Korçë se do të bëhet më shumë për to, duke renditur punët e bëra deri tani.
Rama përmendi se qeveria ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për afro 10 mijë nëna të papuna me 3 ose më shumë fëmijë për të cilat janë shpenzuar deri tani 25 milionë euro “Ato nuk shkojnë dot në punë, për shkak të fëmijëve të vegjël por ama të mos iu mungojë pensioni”, u shpreh Rama.
“Siҫ kemi bërë me bonusin e bebes nga i cili kanë përfituar 277 mijë bebe, por tani do të shkojmë një hap më tutje, nuk do ta japim më bonusin e bebes me një dorë, një ҫek ditën e lindjes, por do ta shtrijmë si një mbështetje financiare për nënat ҫdo muaj, sipas numrit të fëmijëve”, tha Rama.
Po ashtu, shtoi Rama,”kemi bërë gati programin e garancisë për fëmijët, një program, i cili synon me mbështetjen dhe në bashkëpunim me BE-në që të mbështesë 100 mijë fëmijë për nevoja të ndryshme”.
“Ne duhet të shkojmë më tutje duke mbështetur nënat e fëmijëve me aftësi speciale, e fëmijëve autikë, e fëmijëve që kanë nevojë për nënën gjatë gjithë kohës duke e dyfishuar mbështetjen financiare për to”, tha Rama.
Po ashtu, shtoi Rama, “kemi nevojë të bëjmë më shumë edhe për të gjitha shërbimet shëndetësore për gratë dhe për nxitjen e punësimit të grave edhe për nxitjen e pjesëmarrjes së vajzave të talentuara në programet e financimit të start-upeve. Numri i tyre po rritet në mënyrë të vazhdueshme”.